Zgjedhjet në PD/ Kadilli prezanton platformën e tij: Pas zgjedhjeve, kryetari bëhet kryeministër ose dorëhiqet! I kërkoj ndjesë çdo anëtari të PD…

25/05/2021 12:19

Kandidati për kryetar i PD, Fatbardh Kadilli ka prezantuar platformën e tij në selinë blu për zgjedhjet e 13 qershorit.

Në fjalën e tij, Kadilli iu drejtua me një mesazh demokratëve, duke thënë se Edi Rama mundet vetëm me një drejtim të denjë të partisë.

Kandidati për kreun e PD u shpreh se synon që t’i japë fund politikës, që në shekullin ku jetojmë, tha ai, ka për qëllim të japë modelin e Partisë të Punës.

Kadilli: Jam këtu për të prezantuar projektin fitues për PD, për t’i dhënë demokratëve një mesazh të drejtpërdrejtë. Jam këtu me modestinë e bashkëluftëtarit opozitar që e mirëkupton ndjeshmërinë e lartë që ka shkaktuar humbja e Lulzim Bashës. Por edhe me besimin e palëkundur të qytetarit të thjeshtë dhe një njeriu që ka ardhur nga persekutimi, kurrë mos u dorëzo për t’u kërkuar demokratëve dhe çdo qytetari që u dhimbset vetja dhe atdheu për të kërkuar mbështetjen e shumicës së braktisur.

Dua t’i kërkoj ndjesë çdo anëtari të PD pasi koha e shkurtër në dispozicion, më pak se 3 javë e bën të pamundur që unë si kandidat të mund të shkel çdo degë të PD dhe të komunikoj me këdo. Data 13 është fitorja brenda PD, më pas turi fitues është për të larguar Edi Ramën. Jam deklaruar për një PD të pastër, për një parti më të madhe se kryetari, ndarja e rolit të kryetarit nga administratori. Kryetari është udhëheqësi, mandati mbaron kur shpallet rezultati dhe ai ose është kryeministër, ose ikën. Administrimi i partisë duhet të bëhet me një këshill prej 6 vitesh. Parimi një anëtar një votë për zgjedhjen e çdo kryetari nga seksioni tek kryetari në qendër për çdo përfaqësues të PD në pushtet lokal dhe parlament.

Për një parti më të madhe se kryetari

1-Ndarja e rolit të Kryetarit nga administratori i Partisë: Kryetari e udhëheq politikisht partinë për katër vjet. Mandati i kryetarit mbaron automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ai ose është Kryeministër, ose largohet.

2-Administrimi i Partisë do të drejtohet nga një këshill të urtësh që do të ketë mandat 6 vjeçar. Këshilli regjistron anëtarësinë, strukturat dhe drejton proceset zgjedhore në parti për forumet dhe kandidatët për Bashki dhe Parlament. 

3-Parimi ‘një anëtar, një votë’ për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni te Kryetari i partisë. Primaret për kandidatët për Bashki dhe Parlament, të paktën një vit përpara zgjedhjeve.

4-Struktura e partisë ndërtohet mbi bazën e garës elektorale. Çdo ZAZ do të ketë kryetar që zgjidhet me ‘një anëtar, një votë’ dhe që është deputeti i ardhshëm, ose në rast humbje, përfaqësuesi i popullit të atij territori.

Për një PD të Hapur dhe të Bashkuar

5-Struktura e partisë do të jetë elastike. Seksione, jo vetëm territoriale, por edhe mbi baza profesionesh, grupesh interesi dhe profilesh. Veç forumeve vertikale në territor, edhe forume horizontale.

6-Legjitimimi i fraksioneve: Çdo anëtar/e mund të krijojë ‘partinë’ e vet. Nuk të cakton askush kryetar. Merr iniciativën dhe krijo forumin tënd.

Për një PD më të madhe se Vetja

7- Jo më një Forum rinor i plakur, me gjuhë dhe sjellje të plakur, që shërben si dekor aktivitetesh partie dhe qëndron në paradhomën e partisë për t’u infektuar nga sëmundjet e politikës, por një forum që afron rininë, kauzat dhe shqetësimet e saj, aksionin dhe qëllimet e saj në parti. Një forum i epokës digjitale ku çdo i ri apo e re kontribuon me aksionin e vet me agjenden e vet, me idetë dhe nismën e vet.

8-Jo më një forum grash, pasionante të PD që çojne PD te Gratë. Por, një Lidhje Grash që sjellin shqetësimet, kauzat, interesat, projektet, nismat e grave në PD.

9-Një raport tërësisht i ri me median dhe aksionin qytetar. Shoqëria është shumë më pluraliste se politika. Shoqëria ka prodhuar shumë më tepër vlera se politika. Ky partneritet e bën PD më të madhe se vetja.

Për një PD fituese

10-PD do të ketë kauzat e reja që reflektojnë interesat e kësaj shoqërie plurale, dhe jo kauza ngushtësisht politike, apo vetëm me përfitim politik.

Frymezuese

PD që shndërrohet në lëvizje popullore, është ajo që frymëzon jo vetëm veten, jo vetëm mbështetësit por gjithë shoqërinë.

Një PD që ngrihet mbi tre kollona:

  • Një forcë politike që ka lidhje të shkurtër dhe të pandërprerë me qytetarin, me shqetësimet dhe  interesin e qytetarit politik. Zgjimi i individit politik.
  • Një forcë politike partnere e besushme që nuk zhgënjen. Një forcë politike që ndërton vetem mbi vlera, partneritetin me qytetarin, me shoqërinë civile, mediat, biznesin dhe partnerët strategjik që mbrojnë sigurinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe orientimin Perëndimor.
  • Një PD që riorganizohet duke garantuar hapësirë për cdo individ politik të shprehi talentin, ambicien, forcën, përfaqësimin dhe idetë politike, që garantojnë zhvillimin e kauzave politike nga cdo kush, zhvillimin e karrierës në mënyrë të papenguar nga burokracia politike.

Një PD e vërtetë.

Një PD që manifeston në çdo gjë vlerat që promovon. Një PD që sillet dhe vepron në përputhje absolute me cfarë shpall. Një PD që ka të njëjtin standard si për vete ashtu dhe për kundërshtarët.

Një PD që ndahet nga çdo trashëgimi e keqe edhe e vetvetes.

Detyra e PD është largimi nga pushteti i Ramës dhe i modelit të qeverisjes dhe politikës ku politika, media, biznesi dhe bota e nëndheshme janë shndërruar në një pushtet abuzues mbi qytetarin.

Ndryshoj PD që të Ndryshoj Shqipërinë

PD që unë do drejtoj do luftojë për rishikimin e funksionimit të republikës sonë:

Rishikimi i ndarjes administrative sipas zërit të qytetarëve, sipas parimit të subsidiaritetit dhe sipas modeleve që u diskutuan në mënyrë të pavarur nga agjenda e pushtetit dhe i formatuar në një propozim alternativ nga shoqata e komunave;

Rishikimi i Kodit Zgjedhor për të garantuar përfaqësim dhe stabilitet qeverisës;

Plotësimi i organeve të drejtësisë për një drejtësi eficiente. Demokracia dhe Liria amerikane që është modeli im, nuk u mbrojt nga politika por u mbrojt nga gjykatat dhe sistemi i drejtësisë;

Forcimi i demokracisë direkte – referendumi mjet i vullnetit të popullit; referendumi lokal ushtrimi i demokracisë dhe përfshirjes;

Rishikimi i kushtetutës, ose ribërja e saj për të rivendosur në balancë institucionet e kuvendit, qeverisë dhe presidentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA