Murrizi në Top Talk: Meta ka shkelur kushtetutën, pritet shkarkimi! Sjellja e presidentit, e çoroditur

25/05/2021 17:31

Deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi e konsideron “të çoroditur”, sjelljen e presidentin, Ilir Meta, gjatë muajve të fundit.

Sipas Murrizit, Presidenti ka qenë kontradiktor me të gjitha qëndrimet e tij dhe kjo është e papranueshme për postin që mban.

Unë e shoh në kundërshtim, çfarë thotë njëherë, nuk thotë herë tjetër, edhe kuvendin herë e njeh, herë jo. Edhe sjellja si i deleguar nga Celibashi për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve, të dielën e 25 prillit: Tha sa të jem unë këtu nuk ka vjedhje, dy ditë më pas tha vullneti është brenda në kuti, më duket se janë vjedhur. Pra, e shoh të tensionuar më shumë seç duhet, çfarëdo hallesh të ketë një burrë shteti, se Ilir Meta si individ, punë e madhe se nxehet. Nuk e di pse edhe kabineti, dhe ata që e këshillojnë e marrin me kaq emocion dhe kaq mllef”.

Deputeti demokrat ironizon dhe vendimin e Metës për të njohur kuvendin e dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe më pas vendimin për ta quajtur anti ligjor.

Ka treguar me firmë, që këtë kuvend e ka njohur, dekretoi me shumicë të cilësuar marrëveshjen e 5 qershorit. Në vitin 2019, u mërzit shumë me kuvendin, nuk e njohu, u mërzit shumë, kur la mandatet Partia Demokratike dhe Lëvizja Sociliste për Integrim. Në vitin 2021 është mërzitur prapë dhe nuk e njeh. Unë mendoj se e ka pasur me vite, në vitet çift, ky e njeh kuvendin. Vitet tek, janë shterp. Po të ishte mot, Meta do të vinte në komision, pavarësisht kush e drejtonte”.

Murrizi, liston shkeljet e Presidentit të Republikës.

“Në mënyrë ligjore, i besoj dy ekspertëve, të emëruar nga komisioni, të cilët thonë se Presidenti i Republikës, ka shkelur kushtetutën. Është një raport i hollësishëm, që tregon mosruajtjen e asnjanësisë, thirrjet për revolucion, prishjen e imazhjit të vendit, që është 13 vite anëtar i NATO-s dhe përplasje me vendet anëtare të NATO-s dhe aleatin tonë kryesor, SHBA-në”.

Ndërkohë, deputeti nuk është dakord me tremin “shkelje e rëndë e kushtetutës nga Presidenti”, që shkruhet në raportin e komisionit për shkarkimin e Metës. Sipas Murrizit, “termi e rëndë apo e lehtë, është abstrakt. Shkeljet nuk peshohen. Shkelja është shkelje”.

Më tej, shton se konflikti i Presidentit me mazhorancën është i hershëm, por duhet të marrë fund.

Ai është aty me votat e PS-së, të LSI-së. Konflikti presidencë-mazhorancë apo presidento-opozitë, është një konflikt i hershëm. Që nga Mejdani, Moisiu, Topi e me radhë. Kuvendi ka të drejtën të japë vendimin e tij me votë e më pas të flasë gjykata”.

Top Channel