Një rrahje brutale me grushta, shkelma e shkopinj: 23 vjeçari nga Guinea Musa Balde nuk e kaloi dot traumën e agresionit të pësuar në 9 maj në Ventimiglia nga tre persona që e akuzonin se kishte vjedhur një telefon.
I mbërritur në Itali për një jetë më të mirë, i riu përfundoi në spital për dhjetë ditë, por me të dalë prej andej e dërguan në komisariat e më pas në qendrën e riatdhesimit në Torino. Atje, situata e tij fizike dhe psikologjike u përkeqësua.
I vendosur në izolim për arsye shëndetësore, siç thonë mediat vendase, 23 vjeçari vari veten me çarçaf në dhomën e tij. “Ishte i lodhur e i stresuar”, rrëfen avokati i tij Gianluca Vitale i cili po përpiqej ta kundërshtonte ligjërisht dëbimin e tij. “Nuk arrinte ta kuptonte arsyen përse pasi pësoi një sulm kaq të dhunshëm, në burg përfundoi ai e jo të tjerët. Policët nuk e dëgjonin atë që kishte për të thënë”, vazhdon avokati.
I riu këmbëngulte se nuk kishte vjedhur asgjë, thjesht po kërkonte lëmoshë në rrugë. Personat që e sulmuan, u identifikuan më vonë si dy siciliane 28 dhe 39 vjeç dhe një 44 vjeçar nga Palmi, për të cilët hetuesit dolën në përfundimin se kishte vepruar në bazë të urrejtjes racore.
Top Channel