Mbajtën peng e dhunuan 2 persona për disa orë/ Arrestohet Seit Manahasa, i akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit, në kërkim bashkëpunëtori

22/05/2021 21:28

Seit Manahasa, i cili është akuzuar dhe arrestuar më parë për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan është arrestuar pasi akuzohet se ka marrë peng bashkë me një 37-vjeçar për disa orë dhe kanë keqtrajtuar dy persona.

Manahasa me bashkëpunëtorin kanë shkuar pranë një poligoni inertesh në aksin Elbasan-Peqin dhe më pas i kanë dhunuar e mbajtur peng për disa orë me qëllim për t’iu dhënë një shumë prej 20.000 eurosh, por kanë arritur t’u marrin vetëm 12.000 lekë.

Pas lirimit, personat me iniciale G. M. dhe shtetasja F. D  kanë shkuar dhe kanë bërë denoncimin në polici.

Renea arriti të kapte Manahasën, ndërsa është shpallur në kërkim personi tjetër me iniciale K. M..

Sipas policisë, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënje pasurie”,  “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se Seit Manahasa u arrestua së bashku me të atin Albert për vrasjen e Emiljano Ramazanit më 20 korrik të 2020, dhe më pas u lanë të lirë nga gjykata e Elbasanit e cila pushoi çështjen për ta në dhjetor të 2020.

Gjatë kontrollit në biznesin e tyre u gjet arma e krimit të përdorur për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, një pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak, e fshehur poshtë sabratorit të një makine.

Emiljano Ramazani i njohur me nofkën “Rramani” u bë poshtë shtëpisë së tij, ku dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, pasi ai njihej si shpërndarës kokaine në Elbasan. Pak ditë pas vrasjes së tij u gjet i vrarë me thikë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj.

Peqin

Finalizohet operacioni policor i koduar “Poligoni”.  Operacioni nga DVP Elbasan dhe Renea.  Vihet në pranga njëri nga autorët që i hoqën lirinë dy shtetasve, shpallet në kërkim bashkautori. Specialistët për Hetimin e Krimit Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas denoncimit të marrë nga shtetasi G. M. dhe shtetasja F. D. se në hyrje të qytetit të Peqinit, pranë një poligoni inertesh. ishin kapur dhe mbajtur peng nga dy shtetas, të cilët i kishin kërcënuar dhe keqtrajtuar ata për disa orë, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Mbi bazën e provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua nga DVP Elbasan dhe Renea, operacioni policor i koduar “Poligoni”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua shtetasi: S. M., 38 vjeç, banues në Peqin. Si dhe u shpall në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasit K. M., 37 vjeç, banues në Peqin. Arrestimi i shtetasit S. M. dhe shpallja në kërkim e bashkautorit tjetër, shtetasit K. M., u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë hequr lirinë për disa orë shtetasit G. M. dhe shtetases F. D., dhe nëpërmjet dhunës iu kanë kanë marrë 12.000 lekë.  Njëkohësisht i kanë kërcënuar dhe shantazhuar me qëllim për t’iu dhënë një shumë prej 20.000 eurosh.  Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënje pasurie”,  “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA