Kreu vjedhje në disa restorante e lokale, arrestohet shtetasi polak në Krujë

04/10/2026 13:39

Një shtetas polak është arrestuar në Krujë, pasi dyshohet se ka kryer të paktën tre vjedhje në hotele dhe lokale gjatë javës së fundit.

27-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë në qytet, dyshohet se ka marrë para, një celular dhe sende të tjera, ndërsa policia sekuestroi biçikletën dhe sendet e dyshuara si të vjedhura.

Njoftimi i policisë:

KRUJË/Finalizohet operacioni policor “Çiklisti”, zbardhen 3 raste vjedhjeje.

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, shtetas polak.

Në vijim të punës hetimore të kryer menjëherë pas kallëzimeve të administruara për vjedhje të pronës/pasurisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë kapën dhe vunë në pranga shtetasin e huaj T. F., 27 vjeç, banues në Angli.

Nga veprimet hetimore rezulton se 27-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë gjatë javës së fundit në qytetin e Krujës, dyshohet se ka kryer 3 vjedhje në hotele dhe lokale, ku ka marrë shuma parash, një aparat celular dhe sende të tjera.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, aparatin celular, një shumë parash, si dhe biçikletën që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.

Top Channel