Humbi shikimin nga një aksident dhe u braktis nga familja e tij, burri i verbër surprizon dashurinë e jetës me këngëtarin e saj të preferuar

15/05/2021 23:05

Në momentet më të vështira të jetës sonë, në momentet kur mendojmë se të gjithë janë larguar dhe se kemi prekur fundin, na vijnë në ndihmë njerëz që me kalimin e kohës shndërrohen në arsyen kryesore për të jetuar.

E tillë ishte historia e Alketit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”.

Alketi shumë vite më parë për arsye ekonomike kishte vendosur që të emigronte në Itali dhe të punonte për të sjellë të ardhura në familjen e tij. Në këtë periudhë Alketi ishte martuar dhe nga kjo martesë kishte sjellë në jetë dy fëmijë. Gjithçka për Alketin kishte shkuar mirë, deri në ditën kur ai kishte pësuar një aksident të tmerrshëm.

Në studio, Alketi rrëfeu momentin që i kishte ndryshuar jetën tërësisht, aksidentin me motorr, i cili i kishte marrë shikimin. Doktorët në Itali nuk i kishin dhënë shpresa Alketit për të jetuar, pasi aksidenti kishte qenë shumë i rëndë, por ai kishte mbijetuar dhe kishte qëndruar në koma për një periudhë tri mujore. Fatkeqësitë për të nuk kishin mbaruar këtu, pasi, ish- bashkëshortja e tij, pas gjendjes së rëndë të Alketit, kishte vendosur që të largohej bashkë me fëmijët duke e braktisur.

Pavarësisht gjendjes së tij dhe largimit të ish- bashkëshortes, Alketi nëpërmjet ndihmës së familjes i’a kishte dalë mbanë që të riniste jetën. Nëpërmjet një shkuesie ai ishte njohur me Linditën, dashurinë e jetës së tij dhe menjëherë kishin vendosur që të martoheshin. Familja e Linditës në fillim kishin qenë kundër këtij vendimi, për shkak të aftësisë së kufizuar të Alketit. Tashmë Lindita dhe Alketi kanë krijuar familjen e tyre dhe kanë sjellë në jetë dy vajza.

Për këtë arsye, Alketi ka zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar Linditën që i ndryshoi tërësisht jetën dhe që i dha familjen e dashurinë që i mungonte. “Të faleminderit që u bërë pjesë e jetës sime. Të mos ishte për ty nuk do dija ku do të isha. Ti je shtylla mbështetëse e imja, je drita e syve të mi!”,- ishte mesazhi i Alketit për Linditën.

Nga ana tjetër e studios Lindita rrëfeu se për të ka qenë vendimi më i bukur që kishte marrë dhe se jeta që po jetonte me Alketin ishte tepër e bukur. Por kjo nuk ishte surpriza e vetme që programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte rezervuar për Linditën. I ftuar special për të ishte këngëtari i njohur i estradës shqiptare, Ermal Fejzullahu i cili i tha: Ti je një grua e fortë dhe ne të gjithë në jetë jemi të prirur nga fatet njerëzore. Alketi mund të ketë humbur pamjen, por ka gjënë më të shtrenjtë, dashurinë tënde. Unë jam tepër i lumtur që jam pranë jush dhe dua të dini se unë gjithmonë do jem i juaji!

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA