Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Beratit, pasi në banesë iu sekuestrua një armë zjarri automatik, një krehër dhe 7 fishekë. Autoritetet vendosën që të ushtrojnë kontroll në banesën e tij, pasi kishin marrë informacione ai dispononte armë pa leje.
Në njoftimin për media, policia bën të ditur se 38-vjeçari është autor i dyshuar i vjedhjes së një shume parash në një pikë karburanti, në datën 22.04.2021.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Vihet në pranga një 38-vjeçar që dispononte armë zjarri pa leje.
Nga hetimet paraprake ky shtetas dyshohet dhe si autor i një vjedhjeje të ndodhur më parë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas, në fshatin Kutalli, Dimal, dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. B.
Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 7 fishekë.
Gjatë veprimeve hetimore paraprake rezultoi se shtetasi M. B., 38 vjeç, është autor i dyshuar i vjedhjes së një shume parash në një pikë karburanti, në datën 22.04.2021.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.
Top Channel