Besimtarët myslimanë kanë nisur sot agjërimin në Muajin e Ramazanit, për të dytin vit radhazi nën izolim dhe masa të tjera kufizuese që janë vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri Ed Rama ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka uruar të gjithë besimtarët që kanë nisur agjërimin.
“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu i uroi dje të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë, ndërsa bëri apel që ky të jetë muaji i faljes, mëshirës dhe mirëkuptimit.
Urimi i Kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu:
“Të dashur qytetarë, motra e vëllezër, nesër, më 13 prill, është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit. Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ju përcjellë urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jetë muaji i mëshirimit të ndërsjelltë me njëri-tjetrin, muaji i faljes dhe mirëkuptimi, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të sfidave në të cilat ndodhemi dhe ato që na presin. Ju ftojmë të jemi më solidare me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mbarë.
Të nderuar besimtarë çdo gjë gjatë këtij muaji ka vlerë shumëfish më të madhe, prandaj njerëzit përmes sakrificave të shumanshme personale, veprave të bamirësisë, lënien anash të mospajtimeve, etj., synojnë të arrijnë kënaqësinë Zotit dhe harmoninë me njerëzit, me të cilit rrethohen. Uroj që ky të jetë muaji i faljes, mirëkuptimit, dashurisë, unitetit dhe paqes. Duke ju uruar muajin e Ramazanit më lejoni të ju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja”.
Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit Islam. Muaji zgjatë 29 ose 30 ditë bazuar në vëzhgimet pamore të hënës së re dhe sipas llogarive të shumta të hartuara në hadithe. Fjala ramazan vjen nga arabishtja Ramaḍān që do të thotë vapë ose thatësirë.
Ai është muaji i agjërimit, që do të thotë shmangia e ushqimit dhe lëngjeve, mardhënieve seksuale, fjalëve dhe sjelljeve të këqija dhe gjërave të tjera të ndaluara në Islam. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjatë nga agimi deri në perëndimin e diellit.
Në fund të ramazanit vjen fitër bajrami, apo festa e prishjes së agjërimit.
Top Channel