Komandantët ushtarakë të 12 shteteve kanë dënuar forcën vdekjeprurëse të përdorur nga ushtria e Mianmarit, pasi më 27 mars u vranë mbi 90 persona, që ishte dita më e përgjakshme që prej se në këtë shtet ushtria mori kontrollin dhe filloi shtypjen e protestuesve që po e kundërshtojnë puçin ushtarak.
Përmes një deklarate të përbashkët, shefat e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve të NATO-s si dhe të Japonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut dhe Australisë, thanë se ushtria në Mianmar – që njihet ndryshe edhe si Birmani – ka humbur kredibilitetin me njerëzit e saj.
“Një ushtri profesionale ndjek standardet ndërkombëtare për sjelljen dhe është përgjegjës për mbrojtjen, jo të lëndojë njerëzit ndaj të cilëve shërben”, thanë zyrtarët e mbrojtjes në deklaratën e përbashkët, ku dënuan përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj njerëzve të paarmatosur.
Në deklaratë, zyrtarët e mbrojtjes i bën thirrje ushtrisë së Mianmarit që të “heqë dorë nga dhuna dhe të punojë për të vendosurin respektin dhe besueshmërinë me popullin e Mianmarit”.
Kjo deklaratë erdhi pasi diplomatët nga shumica e të njëjtave shteteve po ashtu shprehur zemërimin e tyre lidhur me dhunën që ndodhi, teksa junta ushtarake festoi Ditën e Forcave të Armatosura të Mianmarit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se ShBA-ja ishte e “tmerruar nga gjakderdhja e shkaktuar nga forcat e sigurisë së Mianmarit” dhe se ushtria tregoi gatishmërinë e saj për të “sakrifikuar jetën e njerëzve, në mënyrë që t’u shërbejë vetëm një pjese të vogël të popullsisë”.
Kryediplomati amerikan shtoi se “njerëzit e guximshëm të Mianmarit refuzojnë sundimin e terrorit të ushtrisë”.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në shtetet e Azisë Juglindore, e përshkroi Ditën e Forcave të Armatosura si një ditë të “terrorit”, ndërkaq, sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab tha se kjo ditë ishte “një pikë e re e ulët” për juntën në Mianmar.
Kombet e Bashkuara thanë se kanë pranuar raportime për “dhjetëra të vrarë” dhe thanë se më 27 mars, në Mianmar kishte “dhunë shokuese”. OKB-ja po ashtu tha se në këtë shtet ka pasur arrestime masive dhe qindra persona janë plagosur në të paktën 40 qytete.
“Shtypja e vazhdueshme e ushtrisë… është e papranueshme dhe kërkon një përgjigje ndërkombëtare të fortë dhe të unifikuar”.
Shoqata për të Burgosurit Politik, që dokumenton vdekjet dhe arrestimet, tha se në Mianmar janë vrarë 91 persona. Një media online, Myanmar Now, në orët e vona të 27 marsit raportoi se numri i vdekjeve arriti në 114. Ndërkaq, një kërkues i pavarur në Rangoo tha se numri i viktimave ishte 107.
Mianmari është në krizë që prej se ushtria mori kontrollin e shtetit më 1 shkurt, përmes një grushti të shtetit dhe arrestoi lideren civile, Aung San Suu Kyi dhe politikanë të tjerë të cilët gjenden në paraburgim.
Ushtria tha se organizoi puç për shkak të zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar, ku partia e Suu Kyisë fitoi bindshëm. Ushtria argumentoi se kishte manipulime në zgjedhje.
Që atëherë, në mbarë Mianmarin janë organizuar protesta, të cilat janë shtypur me dhunë nga forcat e sigurisë, ku janë arrestuar mbi 2.600 persona. Me shifrat e fundit të viktimave, numri i të vrarëve në Mianmar ka arritur në mbi 400.
Gjatë fjalimit në Ditën e Forcave të Armatosura, gjenerali Min Aung Hlaing, edhe njëherë mbrojti vendimin për puç ushtarak dhe u zotua se do ta dorëzojë pushtetin pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Por, ky komandant i juntës ushtarake po ashtu ka kërcënuar protestuesit, duke thënë se “aktet e terrorizmit, që mund të jenë të dëmshme për stabilitetin dhe sigurinë e shtetit” janë të papranueshme.
Dita e Forcave të Armatosura shënohet për të kujtuar nisjen e rezistencës lokale ndaj okupimit japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Junta njoftoi se tetë delegacione ndërkombëtare morën pjesë në paradë, përfshirë ata nga Kina dhe Rusia. Media shtetërore shfaqi zëvendësministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Aleksandr Fomin teksa ndiqte paradën.
Fomin tha se Rusia është “e përkushtuar ndaj një strategjie që synon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Rusisë. Në njoftim po ashtu u tha se pajisjet ushtarake, të prodhuara në Rusi, janë shfaqur në këtë paradë, transmetoi Interfax./REL
Top Channel