Kanë mbërritur në vendin tonë 10 mijë doza të vaksinës Sputnik, dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, të pranishëm në Aeroportin e Rinasit, vlerësuan ndihmën e Emirateve të Bashkuara, ndërsa u shprehën se priten doza të tjera vaksinash nga negociatat që po zhvillohen.
“10 mijë dozat e vaksinës Sputnik, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe tashmë kanë mbërritur dhe do të shtrijmë edhe më gjerë vaksinimin. Do të vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për të qenë më të lehtësuar edhe për turizmin“, deklaroi Manastirliu.
Ndërsa ministri Ahmetaj u shpreh: “Në emër të qeverisë shqiptare falenderojmë qeverinë e Emirateve dhe Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed. Na u gjendën me tërmetin, po gjenden edhe me Pandeminë”j.
Manastirliu nënvizoi se Komiteti i Imunizimit ka dhënë garancinë për përdorimin e vakinave.
“Komiteti i Iminizimit dhe gjithë strukturat të cilat merren me çertifikimin, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave tashmë kanë dhënë prej disa javësh garancinë për vaksinat, që ofrojnë siguri dhe efikasitet”, tha Manastirliu.
Sipas një studimi të botuar në revistën “The Lancet”, vaksina ruse Sputnik V ka një efektshmëri prej 91.6 përqind.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë parlamenti shqiptar i dha dritën jeshile përdorimit të vaksinës ruse e asaj kineze në vend.
Në fletoren zyrtare është publikuar akti normativ, i cili ndryshon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid në Shqipëri për përdorimin e tyre në popullatë. Me aktin e ri i hapet dera jo vetëm vaksinave të aprovuara nga agjencia amerikane dhe europiane e barnave, por edhe vaksinave të cilat kanë miratimin e autoriteteve në shtetin përkatës ku ato prodhohen.
Top Channel