Blinken vizitë në Evropë/ Do të ravijëzojë politikën e re të administratës Biden

22/03/2021 12:25

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, udhëton të hënën drejt Brukselit, për të takuar udhëheqësit e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Blinken do të ndjekë një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe do të konsultohet me aleatët dhe sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, më 23 mars dhe 24 mars, tha Departamenti i Shtetit.

Takimet në Bruksel kanë për qëllim “të nënvizojnë vendosmërinë” e administratës së presidentit Joe Biden “për të forcuar aleancën transatlantike dhe për të gjallëruar lidhjet tona me aleatët përmes NATO-s”, tha po ashtu Departamenti i Shtetit.

Sipas tij, në agjendë të diskutimeve do të jenë Kina dhe Rusia, ashtu si edhe roli i NATO-s në Afganistan, siguria kibernetike, luftimi i terrorizmit, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe sfida të tjera të përbashkëta. Blinken do të takojë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për të biseduar rreth rimëkëmbjes nga pandemia Covid 19 dhe forcimit të demokracisë.

Në një deklarim përpara udhëtimit në Bruksel, Philip Reeker, ushtrues detyre i ndihmës sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, tha se Shtetet e Bashkuara do të konsultohen ngushtë me aleatët e NATO-s dhe partnerët e tjerë për misionin ushtarak në Afganistan. Forca e NATO-s në Afganistan, e udhëhequr nga SHBA-ja, ka rreth 10.000 trupa, që ndihmojnë në trajnimin dhe këshillimin e forcave afgane të sigurisë. Biden ka thënë më herët se afati i 1 majit për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Afganistani “do të jetë i vështirë”.

Ky afat ishte përcaktuar me një marrëveshje midis ish-administratës amerikane dhe talibanëve në Afganistan. Marrëdhëniet me Rusinë do të jenë po ashtu temë gjatë udhëtimit të Blinkenit në Evropë ndërkohë që ky udhëtim, sipas analistëve, ka si qëllim edhe të nxjerrë në pah politikën e re të jashtme amerikane pas administratës së ish-presidentit, Donald Trump.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA