Greqia s’gjen qetësi nga tërmetet/ Disa lëkundje gjatë mbrëmjes që u ndjenë edhe në Shqipëri. Më e forta me magnitudë 6

05/03/2021 00:58

Toka vazhdon ende të dridhet në gjithë zonën e Thesalisë në Greqinë qëndrore. Në mbrëmjen e së enjtes lëkundja e re ka qenë e një fuqie prej 5.9 ballësh shkalla Rihter sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës dhe 6 Rihter sipas Qendrës Europiane Sizmologjike Mesdhetare.

Ajo është ndjerë përsëri jo vetëm në gjithë vendin, por edhe në shtetet fqinje me Greqinë. Epiqendra e tërmetit të ri ka qenë 17 km në veri të Elasonës, pranë Larisës dhe ka pasur një thellësi prej vetëm 11.3 km. Përsëri banorët e Trikalas, Volosit, Larisës kanë dalë në rrugë të trembur dhe janë grumbulluar nëpër sheshet e hapura të qyteteve.

Gjithashtu janë boshatisur disa hotele në Tirnavo ku ishin strehuar banorët e atyre fshatrave e komunave ku tërmeti i së mërkurës prej 6 Rihter ka shkaktuar dëme të shumta tek shtëpitë e tyre. Pas tërmetit të fundit të fuqishëm kanë pasuar edhe disa lëkundje nga 3 deri në 3.7 Rihter. Siç bëjnë me dije mediat lokale kanë rënë edhe disa pjesë të shkëmbit kryesor në Meteora duke shkaktuar panik në fshatin turistik Kalambaka .

Sa u përket sizmiologëve kanë dhënë vlerësime të ndryshme. Disa kanë theksuar se priten jo vetëm tani por edhe për shumë ditë e javë lëkundje të cilat mund të jenë të fuqishme. Por siç është shprehur në televizionin publik të Greqisë Profesori i Menaxhimit të Katastrofave Sizmike në Universitetin e Athinës Efthimis Lekkas fuqia e tërmetit të fundit ka qenë surprizë, ndërsa duket se ka shkaktuar aktivizimin e një të çare të re pranë epiqendrës.

Informacionet e fundit nuk kanë referime për dëme në njerëz, ndërsa në orët e ardhshme pritet të regjistrohen edhe pasojat e lëkundjes së re që ka shqetësuar përsëri gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA