Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Kuvend, ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit 2021, ku u shpreh se, ruhen parametrat makro-fiskal.
Sipas ministres, në Aktin e fundit Normativ të Buxhetit të vitit 2020 u mundësua një financim shtesë, në masën 673 milionë lekë, për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021 në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht: “Projektin e Identifikimit Elektronik te Zgjedhësve” dhe “Projektin pilot të Votimit dhe Numërimit Elektronik”.
Gjithashtu, në të njëjtin funksion, Këshilli i Ministrave, në rrethana jo tipike për një vit buxhetor të sapo nisur, ndërmori ndryshimin e parë të ligjit të buxhetit 2021. Ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me angazhimet dhe shpenzimet, që burojnë prej tyre, sidomos në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor të miratuar së fundmi.
Pikërisht nën këtë fokus, tha Denaj, një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në terma të mirëmenaxhimit të procesit të votimit është dhe angazhimi maksimal për implementimin e projektit madhor me rëndësi sensitive “Identifikimi elektronik i zgjedhësve”.
Ndryshimi tjetër i paraqitur në buxhet është i lidhur me fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, që është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliardë lekë, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor.
Ndërsa lidhur me ndryshimin në zërin e të ardhurave tatimore, është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 3.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të mësipërme.
Top Channel