‘La Fabrica’ pasuron Realin e Madridit, Los Blancos përfituan mbi 100 milionë euro nga lojtarët e akademisë
Paris Saint-Germain ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e sulmuesit të Barcelonës, Ferran Torres, ndërsa sipas raportimeve nga Mundo Deportivo, negociatat mes palëve ndodhen në një fazë të avancuar.
Sipas burimeve, jo vetëm që kampionët e Francës kanë shfaqur interes konkret për 26-vjeçarin, por ekziston edhe një marrëdhënie e mirë mes klubit dhe futbollistit. Barcelona është në dijeni të zhvillimeve, ndërsa Torres ka kontratë me klubin katalanas deri në verën e vitit 2027.
Raportohet se PSG ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit prej disa ditësh, me synimin që transferimi të finalizohet pas përfundimit të Kupës së Botës.
Vetë Ferran Torres kishte lënë të hapur mundësinë e largimit gjatë një interviste para nisjes së turneut me kombëtaren e Spanjës. I pyetur nëse e shihte veten edhe sezonin e ardhshëm te Barcelona, ai u përgjigj: “Unë e shoh veten nesër duke luajtur ndeshjen kundër Kepit të Gjelbër.”
Ndërsa për zërat që e lidhin me PSG-në apo për rinovimin e kontratës, sulmuesi deklaroi: “As nuk e di dhe as nuk më intereson. E rëndësishme është të fitojmë tre pikët. Gjithçka tjetër nuk ka rëndësi për momentin.”
Në të njëjtën kohë, Barcelona po vazhdon punën në merkato. Klubi katalanas ka siguruar shërbimet e Anthony Gordon, ndërsa marrëveshja verbale me Karim Adeyemi është arritur dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Gjithashtu, objektivi kryesor i drejtuesve blaugrana mbetet transferimi i Julián Álvarez.
Edhe te PSG priten ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv. Ousmane Dembélé, Désiré Doué dhe Khvicha Kvaratskhelia konsiderohen titullarët e padiskutueshëm në sulmin e Luis Enriques. Ndërkohë, Bradley Barcola raportohet se është i pakënaqur me minutat në dispozicion, Gonçalo Ramos është transferuar te Milani, ndërsa edhe Randal Kolo Muani mund të largohet gjatë kësaj vere.
Në këtë situatë, Ferran Torres shihet si një nga objektivat kryesorë të PSG-së për të përforcuar repartin ofensiv për sezonin e ri. Kujtojmë se Torres për dy vite në periudhën 2021-2023 ka qenë në një lidhje me vajzën e Enrique, Sira.
Top Channel