Reuters i vë “lupën” dosjes së SPAK: Artur Shehu dyshohet se falsifikoi dokumentet e tokës, kompania e mbështetur nga Kushner nuk bëri asnjë shkelje
Një shtetase kineze 50-vjeçare, e quajtur Yu Ting, rezulton e zhdukur prej 20 majit në Greqi. E përfshirë në takime e transaksione të dyshimta në Shqipëri e Greqi, 50-vjeçarja ka ngritur në këmbë policinë greke, e cila po heton në disa pista me sfond kriminal.
Ditën e zhdukjes së saj, ajo ishte larguar nga shtëpia e saj në Artemida në orën 10:05 të mëngjesit për në qendër të Athinës. Sipas të afërmve të saj, atë mëngjes ajo kishte ndërmend të mblidhte qira nga apartamentet e kinezëve të pasur, ndërsa gjurmët e saj u zhdukën pasi zbriti nga autobusi.
Bashkëshorti i saj grek, Vasilis Karavasilis, ka thënë për mediat se gruaja e tij ose është rrëmbyer ose është vrarë. Vasilis Karavasilis shpjegoi se, deri më tani, nuk ka prova që do të çonin në një përfundim të prerë në lidhje me fatin e gruas së tij. “Nuk mund të jem i sigurt nëse ajo është gjallë apo jo. Nuk ka asnjë indikacion në asnjërën anë. Mungojnë shumë informacione. Është e pamundur që ajo të jetë larguar me vullnetin e saj të lirë. Ne nuk ishim të shqetësuar për asgjë.”
HETIMET
50-vjeçarja ishte pajisur me leje qëndrimi 1-vjeçare nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë në 17.01.2026, për shkak të interesave të saj për të investuar në Shqipëri, raporton korrespondenti i Top Channel Artur Bibe.

Sipas dëshmive, leja e qëndrimit ishte marrë për shkak të interesit të saj në burimet e ujit në Bogovë. “Një klient nga Kina po kërkonte një vendndodhje për të ndërtuar një impiant për shishet e ujit. Kjo ishte ajo me të cilën ata ishin “ngërthyer”, duke dashur të ndërtonin një impiant për shishet e ujit. Është një burim në një mal në Shqipëri. Ka ujë shumë të mirë, por asgjë nuk ka përparuar. Ajo shkoi dy herë”, tha një agjente pasurish të paluajtshme shqiptare për televizioni “MEGA”.
Në një tjetër rast, del sërish lidhja me shqiptarët. Konkretisht një dëshmitar tjetër, duke folur për mediat greke, i referohet një takimi që u zhvillua 4 ditë para zhdukjes dhe në të cilin ishin përfshirë Yu Ting, një agjente e pasurive të paluajtshme, një kinez, një prift dhe një oficer policie në pension.
“Në takim erdhi edhe kinezi, të cilin nuk e pashë më. Shkova, pimë kafe, ndenjëm për rreth 20 minuta, as gjysmë ore, dhe pastaj ikëm. Ishte si një njohje. Nuk pashë asgjë që e shqetësonte, që të kishte ndonjë frikë. Gruaja më dukej mirë. E kam parë Yu Ting dy herë gjithsej. Një herë në kishë ku e solli agjentja e pasurive të paluajtshme. Dhe një herë tjetër kur e pashë në kafene. Fliste mirë greqisht. Dhe kur e pashë, hera e fundit që e pashë ishte, mendoj, e premte, më 16 maj”, tha prifti. Arsyeja e takimit ishin pasuritë e paluajtshme. Agjentja e pasurive të paluajtshme me origjinë shqiptare e prezantoi Ting-un si një grua që kërkonte me padurim prona në emër të klientëve të saj të pasur kinezë. “B. është nga Shqipëria dhe burri i saj është grek. Dhe e njoh prej kohësh. Dhe një ditë ajo erdhi në kishë për të rezervuar një pagëzim dhe filluam të flasim për pasuri të paluajtshme. Ajo më tha “Do të të sjell një grua kineze që është përfaqësuese e shumë kompanive, shumë njerëzve të pasur që kërkojnë prona të të gjitha llojeve, fusha, shtëpi, gjithçka për investime”. Dhe unë i thashë se kam disa njerëz seriozë që zotërojnë hotele dhe pasuri të paluajtshme. Kështu më vuri në kontakt me Tingun, i cili nga sa kuptoj kishte pasur një lidhje me zonjën për një kohë të gjatë,” shtoi ai.
Media greke e gjeti shqiptaren, e cila konfirmoi se kishte punuar me Ting që nga viti 2022. Siç tha ajo, ata kishin treguar më shumë se 20 prona për investitorët kinezë, por pa përfunduar asnjë transaksion.
Motra e 50-vjeçares Yu Ting, duke folur për media greke u shpreh: “Ajo kishte marrë një leje qëndrimi, të vlefshme për një vit, për në Shqipëri”, duke theksuar se ajo i kishte thënë në një bisedë që kishin pasur më 29 prill se donte të shkonte në Shqipëri dhe madje i kishte thënë se do t’i tregonte disa parcela toke atje”.
Në një tjetër informacion për mediat greke, gruaja 50-vjeçare kineze dyshohet se është e përfshirë në një çështje biznesi që përfshin blerjen e një stacioni karburanti në qendër të Athinës. Njëra nga dy gratë kineze të përfshira në transaksion pretendon se është mashtruar nga Ting dhe partneri i saj.
“Yu Ting dhe partneri im më mashtruan”, thotë ajo. “Ata më kërkuan të punoja me ta për të blerë një pikë karburanti. Na u desh të investonim 100,000 euro, të cilat i mora hua nga të afërmit dhe miqtë. Por më vonë thanë se nuk isha e përshtatshme si partnere dhe nuk ndodhi asgjë.”
Top Channel