Falsifikoi në mënyrë të përsëritur dokumente, Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq noteren
Gjashtë persona janë arrestuar nga policia italiane në kuadër të një hetimi për trafik droge, armëmbajtje pa leje, zhvatje dhe organizimin e aktiviteteve kriminale nga brenda burgjeve në rajonin e Emilia-Romagna-s.
Sipas autoriteteve italiane, në mesin e të arrestuarve janë katër shtetas shqiptarë dhe dy italianë. Hetimet janë zhvilluar nga Seksioni i Policisë Kriminale të Bolonjës, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut për Luftën kundër Mafias pranë Prokurorisë.
Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet se kishte arritur të drejtonte dhe koordinonte veprimtari kriminale edhe nga brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, ku disa prej të dyshuarve ndodheshin të burgosur për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasje me dashje. Komunikimi me personat jashtë burgut dyshohet se realizohej përmes një rrjeti kontaktesh dhe përdorimit të paligjshëm të telefonave celularë.
Gjatë hetimeve, policia ka dokumentuar dy episode të dyshuara të dhunës dhe kërcënimeve, të lidhura me mosmarrëveshje për borxhe nga trafiku i narkotikëve.
Ngjarja më e fundit dyshohet se ka ndodhur në janar të këtij viti. Sipas hetuesve, një person i burgosur i kishte borxh grupit për pagesën e një kilogrami kokainë. Ai dyshohet se ka njoftuar nga burgu bashkëshorten e tij, e cila po kthehej në banesë me vajzën e vogël, se pranë hyrjes së shtëpisë ndodheshin dy persona që mund t’i bënin keq.
Gruaja ndryshoi itinerarin dhe iu drejtua karabinierëve në një stacion në provincën e Ravenës. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, dy personat që ndodheshin pranë banesës qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit të nënës së të burgosurit, në atë që dyshohet të ketë qenë një akt paralajmërues dhe intimidues.
Një tjetër episod i ngjashëm i përket shkurtit të vitit 2025. Sipas hetimeve, dy vëllezër, me urdhër të një personi të tretë që ndodhej në burg, kanë qëlluar me armë ndaj një shtetasi italian në një parking në Bolonjë. Viktima mbeti me plagë sipërfaqësore. Ngjarja nuk ishte denoncuar në atë kohë.
Trafiku i kokainës drejtohej edhe nga burgu
Sipas policisë, grupi dyshohet se kishte krijuar një rrjet të strukturuar kontaktesh për të menaxhuar trafikun e lëndëve narkotike, me destinacion edhe tregun e Bolonjës. Hetuesit vlerësojnë se përdorimi i telefonave celularë brenda burgjeve u mundësonte disa prej të dyshuarve të ruanin ndikimin mbi aktivitetet kriminale jashtë tyre.
Drejtuesi i Policisë së Lëvizshme të Bolonjës, Guglielmo Battisti, e cilësoi këtë një zhvillim të rëndësishëm në panoramën kriminale të qytetit, duke theksuar aftësinë e grupeve kriminale shqiptare për të qarkulluar sasi të konsiderueshme droge dhe për të ushtruar ndikim edhe nga brenda institucioneve penitenciare.
Masa e sigurisë lidhet me nëntë persona, ndërsa gjashtë prej tyre janë përfshirë në ekzekutimin e masave të raportuara nga policia. Mes të arrestuarve përmenden një shqiptar 39-vjeçar, i cili ndodhej tashmë në burg, një shqiptar 48-vjeçar që rezultonte ende në kërkim, si dhe dy shqiptarë rreth të njëzetave. Dy shtetasit italianë janë përkatësisht 33 dhe 22 vjeç.
Të dyshuarit hetohen, sipas roleve që u atribuohen, për trafik droge, armëmbajtje dhe përdorim armësh, zhvatje dhe përdorim të paligjshëm të pajisjeve telefonike në institucionet e vuajtjes së dënimit. Policia italiane nuk përjashton zhvillime të tjera në vijim të hetimeve.
Top Channel