Censi i bujqësisë pas 14 vitesh/ Debat në Komisionin e Ekonomisë, opozita vë në dyshim kriteret për subvencionet

06/07/2026 19:59

Censi i bujqësisë pritet të regjistrojë çdo metër tokë të mbjellë dhe të numërojë çdo kafshë të gjallë në stalla gjatë muajit tetor.

Ndërkohë, CENS-i i fundit i bujqësisë është realizuar nga INSTAT 14 vite më parë. Censi i bujqësisë, këtë të hënë, ishte pjesë e debateve në Komisionin e Ekonomisë. Sipas deputetëve të opozitës, ky regjistër është i vonuar.

Numrat e bujqësisë shkaktuan edhe dyshime të forta mbi shpërndarjen e fondeve të Skemës Kombëtare dhe asaj IPARD.

“Si janë hartuar deri tani pikërisht politikat bujqësore, subvencionet, skemat e mbështetjes dhe planifikimi për fondet IPARD, nëse qeveria vetë pranon se nuk ka pasur të dhëna të besueshme, kur vetë RIRA pranon se nuk ka të dhëna të konsoliduara”, shprehet Ledina Allolli, deputete e PD-së.

“Unë nuk do të thoja se nuk ka të dhëna. MBZHR, së bashku me INSTAT-in, mbledh të dhëna vjetore për veprimtarinë bujqësore nga sistemi i AREB-ve, i cili është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Fatmir Guri, zëvendësministër i Bujqësisë.

Në Progresraportin e vitit 2025, BE-ja i la disa detyra INSTAT-it para se të nisë punën në terren, duke filluar nga burimet njerëzore dhe deri te logjistika dhe infrastruktura.

“Nga pikëpamja operacionale, informacioni statistikor do të mblidhet në terren nga një armatë prej 3.400 punonjësish, që janë anketuesit në terren. Ata do të menaxhohen nga 640 kontrollorë dhe nga të gjithë punonjësit e INSTAT-it, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë”, tha Milva Ikonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë.

Ky proces do të kushtojë 8.9 milionë euro dhe pritet që brenda 6 javësh INSTAT të ketë në dorë të dhënat reale të Shqipërisë rurale.

Në fund të mbledhjes së komisionit, anëtarët votuan projektligjin për Censin e Bujqësisë, por fjalën e fundit do ta ketë seanca përkatëse, e cila pritet të zhvillohet së shpejti.

Top Channel