Në fjalimin e tij të fitores, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti përmendi dhe dialogun me Serbinë, duke fashitur shpresat e saj për bindje në këtë drejtim nga ana e Prishtinës.

Kurti e bëri të qartë se ky nuk ka për të qenë prioritet i tij.

Kurti: “Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë herë është në vendin e gjashtë, herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, neve ju përgjigjemi atyre qytetarëve. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin.”

Vjosa Osmani, e cila ka garuar për postin e presidentes në kuadër të listës së Vetëvendosjes, tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.

Osmani: “Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Sipas rezultateve preliminare, me 86 për qind të votave të numëruar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar gati 48% të votave. Partia Demokratike e Kosovës, që u rendit e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga ana e saj shprehet se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA