Moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi që ka përfshirë që prej orëve të para të mëngjesit edhe qytetin e Beratit, ka shkaktuar përmbytje në disa akse rruge në qytet. I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka depërtuar në rrugë, duke vështirësuar mjaft lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”,,“Stadiumi i Vjetër” dhe “Axhensi”,ku duket qartë edhe nga pamjet filmike që uji ka vërshuar në rrugë dhe ka mbuluar edhe trotuaret.

Reshjet e pandërprera të shiut kane shkaktuar probleme edhe në bllokimin e kanalizimeve në qytet pasi siç shihet nga pamjet pusetat e ujërave të zeza kanë dalë jashtë përdorimit,duke e nxjerrë jashtë në rrugë ujin e prurë nga reshjet .

Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë bëhet bllokimi i tubacioneve të ujërave të larta,të cilat bëjnë që i gjithë uji të vërshojë në çdo rrugë e lagje të qytetit. Në rrugë kanë dalë tashmë edhe punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në bashkinë e Beratit,të cilët po bëjnë të mundur zhbllokimin e pusetave, në mënyrë që të mundësohet edhe tërheqja e ujit nga rrugët.

Top Channel