Nis ndalimqarkullimi në vend, policia zbarkon në terren! Pika kontrolli në Lezhë, Durrës, Lushnje e Vlorë

11/02/2021 20:29

Në orën 20:00 ka nisur ndalimqarkullimi në të gjithë vendin tonë, pas ashpërsimit të masave nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Policia ka nisur punën në terren, ku në Vlorë janë vënë edhe pika kontrolli.

Në Durrës, qytetarët e kanë respektuar  ngushtimin e fashës orare të ndalim-qarkullimit si masë parandaluese ndaj përhapjes së sëmundjes Covid 19 përmes  infektimit nga SARS-CoV-2 dhe mutacionet e tij. Patrulla të shumta policore janë shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit-port, si dhe në hyrje-daljet e tij për të kontrolluar zbatimin e masave të reja anti-covid. Ato kanë ndaluar  automjetet dhe këmbësorët  që lëviznin në rrugë pas hyrjes në fuqi të orës policore, duke kërkuar në çdo rast lejen përkatëse dhe në mungesë të saj kanë vendosur gjoba, tërhequr vëmendjen, po në ndonjë rast për mosbindje ndaj policisë kanë bërë dhe shoqërim në komisariat.

Në Lushnje ka nisur zbatimi i orës policore. Vihet re se qytetarët dhe bizneset e kanë zbatuar rregullisht orarin e ri të vendosur. Disa grupe policore kanë nisur patrullimin për ti ber thirrje atyre pak bizneseve të cilat ende nuk e kishin mbyllur aktivitetin e tyre. Siç shihet dhe nga pamjet rrugët janë të boshatisura dhe qepenat e bizneseve të mbyllura. Kujtojmë se Lushnja është një nga qytetet më numrin më të lartë pas Tiranës të prekurve nga Covid 19.

Edhe në Lezhë ka nisur zbatimi i orës së re policore. Mbas orës 20 rrugët e qytetit janë boshatisur si nga qytetaret ashtu dhe nga automjetet. Policia ka ngritur disa pika kontrolli ne akset kryesore.

Edhe në Fier është zbatuar ora policore. Postoblloqet e policisë ndodheshin në rrugët kryesore të qytetit dhe në të gjitha kryqëzimet. Rrugët janë të boshatisura ndërsa të gjitha lokalet u mbyllen rreth orës 20.00.

Drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj ishte në terren ditën e sotme, ku këshilloi qytetarët për zbatimin e orës policore. I pyetur nga Top Channel për lokalet e natës të cilat vazhdojnë të jenë të hapura gjatë gjithë pandemisë, Brahimaj paralajmëron se do të jepte dorëheqjen nëse gjendet një lokal i hapur pas orës 20:00 tani e tutje.

Pas rritjeve të numrit të të prekurve dhe vdekurve me covid, ekspertët u detyruan që të marrin masa më të ashpra për të parandaluar përhapjen  e pandemisë.

Ndërsa në shumë vende të botës pas ashpërsimit të masave ka një ulje të kurbës së të infektuarve, në vendin tonë ka ndodhur e kundërta.

 

 

Top Channel