‘Ri infektime dhe më agresiv’/ Specialistja e ISHP-së: 50 mostra për konfirmim, dyshojmë për të dy mutacionet nga Afrika dhe Britania…

10/02/2021 12:46

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndërmarrë masa të reja për të frenuar përhapjen se koronavirusit në vendin tonë.

Konkretisht është vendosur ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

Po ashtu Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur ndalimin e  aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.

Ndërkohë Specialistja e ISHP-së Silva Bino ka thënë se në Shqipëri me shumë mundësi kanë hyrë mutacionet e reja të virusit, dhe dyshohet të jenë të dy, ai nga Afrika dhe mutacioni nga Britania e Madhe.

Bino ka shtuar se po dërgohen 50 mostra të dyshuara për verifikim në Britaninë e Madhe.

Silva Bino: Janë 50 mostra që po dërgohen në agjencinë e Shëndetit publik në Mbretërinë e Bashkuar që shërben edhe si laborator reference. Janë përzgjedhur nga ri infeksionet dhe që kemi dyshuar së bashku me disa laboratorë privat. Mund të jenë të dy variantet prezent. Rritja tek fëmijët apo ri infektimet. Këto laboratorë janë shumë të mbingarkuar po mostra tona do të konfirmohen. Do bëjmë përpjekjet tona që presim sot të na vijë nga Turqia. Kjo përdoret në shumë vende evropiane.”

Top Channel