Gazetari Manaj zbulon sa i kushton shqiptarëve të udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe. Ja çfarë e bën më të rëndë mutacionin britanik

09/02/2021 20:47

Britania ka shpallur sot masa drastike për udhëtarët që do hyjnë në ishull nga 15 shkurti, kryesisht nga 33 vendet  nga Amerika Latine dhe Afrika të cilët do karantinohen për 10 ditë në hotele me një fature prej 1750 stërlina, ndërkohe ata që do e fshehin se kanë qenë në këto vende i pret një dënim prej 10 vjetësh në burg!

Ndërsa udhëtarët që vijnë nga vende të tjera do duhet të bëjnë dy tampone brenda 10 ditëve të vetëzolimit, thotë Arben Manaj korrespondenti i Top-Channel në Londër.

“Çelësi i këtyre masave është pikërisht xhepi i udhëtarëve. Para se të hyja në emision, po shikoja një nga faqet e internetit ku njerëzit mund të shikojnë se cilat janë biletat më të lira. Bileta më e lirë me Shqipërinë ishte 130 paund, ndërsa më e shtrenjta 275. Këtu duhet të shtosh edhe tamponet që duhet të bësh në momentin që do të mbërrish në Britani të Madhe, i cili kushton 120 paund vetëm njëri, plus tamponin e dytë që duhet ta bësh pas tetë ditësh e nëse do të duhet të dalësh pas 5 ditësh negativ, duhet të bësh një tampon tjetër, por në total janë tre nëse do të dalësh, shto këtu edhe një tampon që duhet të bësh në Shqipëri, i cili kushton rreth 80 mijë lekë, po them edhe 50 paund të tjerë.

I bie që për një person shkon 400-450 paund një biletë vajtje-ardhje midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Mos të harrojmë që duhet të karantinohesh dhe dy javë në Tiranë se përndryshe gjoba shkon afro 500 paund, 700-800 mijë lekë sic ka ndodhur në raste të caktuara, ndërkohë që do të duhet të karantinohesh dhe 10 ditë të tjera në Britaninë e Madhe, që do të thotë se nuk do të kesh mundësi të punosh dhe do të kesh humbje. Pra ky është mekanizmi që ka nxjerrë Britania e Madhe”, tha Manaj.

Sa i përket mutacionit britanik të Covid-19, u shpreh se janë gjetur 14 raste gjatë orëve të fundit dhe situata po konsiderohet shqetësues pasi mund të shmangë vaksinat.

“Shkencëtarët britanikë thonë se kanë arritur të zbulojnë rreth 14 raste në Bristol, Manchester dhe gjetkë. Bëhet fjalë për një mutacion anglez, i cili është mjaft i përhapur në Britani të Madhe dhe konsiderohet si një mutacion shqetësues. Edhe në qytetin e Liverpulit kanë zbuluar një tjetër mutacion që është nën hetim. Ajo çka e bën më të rëndë është fakti që shkencëtarët mendojnë se ky mutacion i ri edhe mund të shmangë vaksinat”, tha Manaj.

Top Channel