Janet Yellen në krye të thesarit/ SHBA, senati konfirmon të parën grua në post

26/01/2021 12:40

Senati amerikan ka votuar me shumicë për të konfirmuar Janet Yellen si gruan e parë që do të udhëheqë Departamentin e Thesarit.

Senati ka votuar me 84 vota për dhe 15 kundër, për konfirmimin e Yellenit, e cila sipas presidentit amerikan, Joe Biden, do të angazhohet për stabilizim të ekonomisë amerikane, teksa përballet me krizën më të rëndë në dekada. Yellen është e njohur mirë në Uashington, pasi ka shërbyer më parë edhe si gruaja e parë në krye të Rezervave Federale, dhe si udhëheqëse e këshilltarëve për ekonomi në Këshillin e Shtëpisë së Bardhë. Si prioritet të parë, Yellen, 74-vjeçare, pritet të ketë hartimin e politikave ekonomike, teksa Shtetet e Bashkuara përballen me pandeminë e koronavirusit.

Në mesin e planeve të Bidenit gjendet edhe miratimi në Kongres i paketës së ndihmës në vlerë të 1.9 trilion dollarëve. Kjo paketë synon të rrisë fondet për vaksinim, të shtojë 400 dollarë më tepër si përfitim javor për amerikanët që kanë humbur vendet e punës, dhe të sigurojë para të gatshme në vlerë prej 1,400 dollarëve për shumicën e njerëzve.

Administrata Biden beson se fondet shtesë janë të nevojshme për të parandaluar rënien spirale të ekonomisë. Vetë Biden ka thënë se negociatat me republikanët në Kongres, mund të zgjasin për dy javë tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA