1926…

Çfarë po ndodh në vitin 1926, kur tre poetët po i shkruajnë njëri-tjetrit? Më 12 maj, Simfonia nr.1 e Shostakoviçit, në F minor, dëgjohet për herë të parë e luajtur nga filarmonia e Leningradit, kompozitori është nëntëmbëdhjetë vjeç. Më 10 qershor arkitekti i moshuar katalanas Antonio Gaudí, gjatë shëtitjes së përditshme nga kantieri i katedrales së Sagrada Familia-s tek një kishë për lutjen e mbrëmjes në të njëjtën lagje në Barcelonë, goditet nga një trolejbus, dhe mbetet i shtrirë në rrugë pa iu dhënë asnjë lloj ndihme (sepse, thuhet, askush nuk e njohu), dhe vdes. Më 6 gusht, amerikanja Gertrude Ederle, nëntëmbëdhjetë vjeçe, noton nga Cap Gris-Nez, Francë, në Kingsdown, Angli, për katërmbëdhjetë orë e tridhjetë e një minuta, duke u bërë gruaja e parë që notoi në kanalin e La Manshit dhe gruaja e parë që garon në një sport të rëndësishëm me rekordmenin më të mirë mashkull. Më 23 gusht idhulli i filmave Rudolf Valentino vdes në një spital të Nju Jorkut.

Disa libra: volumi i dytë i “Lufta ime” e Hitlerit, përmbledhja me poezi “Ndërtesat e bardha” të Hart Krejn, vepra autobiografike “Fabrika e tretë” e Viktor Shklovskit, “Le Paysan de Paris” i Luis Aragonit, vepra politike e D. H. Lourens “Gjarpri me pupla”, “Dhe dielli lind” i Heminguejt, “Vrasja e Roxher Akroidit” e Agata Kristit. Disa filma: “Metropoli” i Fritz Lang, “Nënë” i Vsevolod Pudovkin, “Nana” i Jean Renoir, “Beau Geste” i Herbert Brenone. Dy drama: “Mann ist Mann” i Bertold Brehtit dhe “Orfeu” i Zhan Koktos. Më 6 dhjetor, Uollter Benxhamini mbërrin në Moskë për të qëndruar për dy muaj. Ai s’e takon tridhjetë e gjashtë vjeçarin Boris Pasternak. Pasternaku ka katër vjet që nuk e ka takuar Marina Cvetajevën. Që kur u largua nga Rusia në vitin 1922, janë bërë bashkëbiseduesit më të shtrenjtë, dhe Pasternaku, duke e pranuar tërthorazi Cvetajevën si poete më të madhe, e bëri lexuesen e tij të parë. Cvetajeva, e cila është tridhjetë e katër vjeçe, po jeton në skamje me të shoqin dhe dy fëmijët në Paris. Rilke, i cili është pesëdhjetë e një vjeç, po vdes nga leuçemia në një sanatorium në Zvicër.

Letrat…

Vera e vitit 1926 është portret i delirit të shenjtë të artit. Ka tre pjesëmarrës: një zot dhe dy adhurues, të cilët janë gjithashtu adhurues të njëri-tjetrit (dhe të cilët ne, lexuesit e letrave të tyre, e dimë se janë perëndi të ardhshme). Një dyshe poetësh të rinj rusë, e cila shkëmben për vite e vite letra të zjarrta për punën dhe jetën, nisin letërkëmbimin me një poet të madh gjerman, i cili, për të dy, është mishërim i poezisë. Këto letra dashurie të treanshme, dhe si të tilla, janë dramatizim i pakrahasueshëm i pasionit për poezinë dhe për jetën e shpirtit. Ata portretizojnë ndjenjën e papenguar të pastërtisë së aspiratës të cilën nëse do ta quanim “romantike” do të ishim ne që do të humbnim. Letërsia e shkruar në gjermanisht dhe rusisht i është kushtuar veçanërisht lartësimit shpirtëror. Cvetajeva dhe Pasternaku e njohin gjermanishten, dhe Rilke ka studiuar dhe arritur ta zotëroj mjaftueshëm rusishten, të tre të mbushur me ëndrrat e të hyjnueshmes letrare të shpallur në këto gjuhë.

Rusët, dashamirës të poezisë dhe muzikës gjermane që nga fëmijëria (nënat e të dyve ishin pianiste), presin që poeti më i madh i epokës të jetë dikush që shkruan në gjuhën e Gëtes dhe Hölderlinit. Dhe poeti i gjuhës gjermane ka pasur pranë që herët dashurinë dhe këshillat e një shkrimtari të lindur në Shën Petersburg, me të cilin ka udhëtuar dy herë në Rusi, dhe prej atëherë e ka parë atë vend si atdheun e tij të vërtetë, shpirtëror. Në udhëtimin e dytë, në vitin 1900, Pasternaku pa dhe me siguri iu paraqit të riut Rilke. Babai i Pasternakut, piktor, ishte mëse i njohur. Borisi, poeti i ardhshëm, ishte dhjetë vjeç. Me këtë kujtesë të shenjtë, Rilke hipën në një tren me të dashurën e tij Lou Andreas-Salomé, Pasternaku fillon autobiografinë (1931), arritja e tij sipërane në prozë. Cvetajeva, natyrisht, nuk e ka parë kurrë me sy Rilken.

Të tre poetët janë të shqetësuar nga nevoja në dukje të papajtueshme: për vetminë më absolute dhe për një bashkësi me të njëjtën frymë dhe mendje. “Zëri im mund të kumboj i pastër dhe i qartë vetëm në vetmi absolute”, i thotë Pasternaku të atit në një letër. Pasioni i formësuar nga mospajtimi përshkon të gjitha shkrimet e Cvetajevës. Tek “Arti në dritën e ndërgjegjes” (1932), ajo shkruan: “Poeti mund të ketë vetëm një lutje: të mos e kuptoj të papranueshmen, më lini të mos e kuptoj, që të ketë gjasë të mos joshem… më lini të mos dëgjoj, që të ketë gjasë të mos përgjigjem… Lutja e vetme e poetit është një lutje për shurdhërinë”. Dhe nënshkrimet e jetës së Rilkes, siç e dimë nga numri i madh i letërkëmbimeve, kryesisht gra, janë arratisje nga intimiteti dhe thirrje për simpati dhe mirëkuptim të pakushtëzuar.

Edhe pse poetët e rinj e shpallin veten si ndihmës, letrat shpejt kthehen në shkëmbim mes të barabartësh, një garë lidhjeje e ndërsjelltë. Për ata që e njohin stilin e bujshëm dhe nganjëherë hijerëndë të letëkërmbimeve të Rilkes, përgjigjet me gati të njëjtin ton të etur dhe të ngazëllyer si të dy admiruesve të tij rusë mund të jenë befasuese. Por ai kurrë nuk ka patur bashkëbisedues të këtij niveli. Rilke sovran, toni didaktik që ne njohim nga Letra për një poeti të ri, shkruar midis viteve 1903 dhe 1908, tek këto letra është zhdukur. Këtu kemi vetëm biseda engjëllore. Asgjë për t’u mësuar të tjerëve. Asgjë për të mësuar vetë. Opera tani është i vetmi medium në të cilin është akoma e pranueshme të bësh lëvdata. Dueti që që përmbyllet nga Ariadne af Naxos të Riçard Strausit, libretoja e të cilit është nga një nga bashkëkohësit e Rilke-s, Hugo von Hofmannsthal, është shembull i një elozheje të tillë. Ne natyrisht ndihemi më mirë me himnin ndaj dashurisë si rilindje dhe vetë-shndërrim të kënduar nga Ariadne dhe Bacchus sesa me baticat e ndjenjës dashurore për njëritjetrin të shpallura nga tre poetët.

Dhe këto letra nuk janë duo përmbyllëse të një opere. Ata janë duo që provojnë, dhe nuk ia arrojnë të jenë trio. Çfarë lloj zotërimi të njëritjetrit presin poetët? Sa përpirëse dhe e veçantë është kjo lloj dashurie? Letërkëmbimi ka filluar, me babanë e Pasternakut si ndërmjetës midis Rilkes dhe Pasternakut. Pastaj Pasternaku i sugjeron Rilkes t’i shkruajë Cvetajevës, dhe kështu krijohet një letërkëmbim tresh. E fundit që iua bashkua listës, Cvetajeva, shpejt bëhet motori, sepse kaq e fuqishme, kaq e egër është nevoja, guximi, lakuriqësia emocionale. Cvetajeva është shumë këmbëngulëse, duke tejkaluar së pari Pasternakun dhe pastaj Rilken. Pasternaku, i cili nuk di se çfarë mund të kërkojë më nga Rilke, tërhiqet (dhe Cvetajeva gjithashtu resht të jetë aktive në letërkëmbimin mes tyre). Cvetajeva mund të parashikojë një baticë erotike, tërheqëse. Duke iu lutur Rilkes të pranojë një takim, ajo ia del vetëm ta largojë. Rilke, nga ana e tij, bie në heshtje. (Letra e tij e fundit për të daton 19 gusht.) Rrjedha e retorikës arrin humnerën sublime dhe kulmon në histeri, ankth, frikë.

Por për çudi, vdekja duket mjaft joreale. Sa të mahnitur dhe rrënuar ndihen dy rusët kur ky “fenomen i natyrës” (kështu mendonin për Rilken) në një farë mënyre nuk ekziston më. Heshtja duhet të jetë e plotë. Heshtje që tani ka emrin e vdekjes duket shumë e madhe për ta zvogëluar. Kështu që letërkëmbimi duhet të vazhdojë. Cvetajeva i shkruan një letër Rilkes disa ditë pasi i thanë se ai ka vdekur në fund të dhjetorit dhe i kushton një prozë të gjatë odé për të (“Vdekja jote”) vitin e mëpasëm.

Dorëshkrimi i autobiografisë, të cilin Pasternaku e përfundon pothuajse pesë vjet pas vdekjes së Rilkes, përfundon me një letër Rilkes. (“Nëse do të ishe gjallë, kjo është letra që do të dërgoja sot”.) Duke e udhëhequr lexuesin përmes një labirinti me prozë fragmentare kujtimore drejt thelbit të botës së brendshme të poetit, autobiografia shtë shkruar nën shenjën e Rilke-s dhe, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, rivalizon Rilken, si një përpjekje për të arritur nivelet e tij, në mos për të tejkaluar Shënimet e Malte Laurids Brigge (1910), arritja sipërane e Rilkes në prozë. Në fillim të autobiografisë, Pasternaku flet për sprovat e jetës dhe për ato raste kur “një ndjenjë e plotë shpërthen me tërë hapësirën para saj”.

Asnjëherë nuk është përmbledhur fuqia e poezisë lirike në mënyrë kaq shkëlqimplote dhe kaq marramendëse, si në këto letra. Nga poezia nuk mund të heqësh dorë apo ta braktisësh, kur ti je “skllav i lirës”, udhëzon Cvetajeva Pasternakun në një letër të korrikut 1925. “Me poezinë ndodh, mik i dashur, si me dashurinë, asnjë ndarje derisa ajo të të lërë”. Ose s’ka ndarje derisa ndërhyn vdekja. Cvetajeva dhe Pasternaku nuk kishin asnjë ide se Rilke ishte i sëmurë rëndë. Pasi mësojnë se ka vdekur, të dy poetët janë tepër mosbesues: u duket, në aspektin kozmik, e padrejtë. Dhe pesëmbëdhjetë vjet më vonë Pasternaku do të befasohej dhe ndjente shumë keqardhje kur të merrte lajmin për vetëvrasjen e Cvetajevës në gusht të vitit 1941. Ai nuk e kishte pranuar dhe rrokur pashmangshmërinë e fatkeqësisë që e priste nëse vendoste të kthehej në Bashkimin Sovjetik me të familjen, siç bëri në vitin 1939. Ndarja kishte bërë gjithçka të plotë.

Çfarë do t’i thoshin Rilke dhe Cvetajeva njëri-tjetrit nëse do të ishin takuar në të vërtetë? E dimë se çfarë Pasternaku nuk i tha Cvetajevës kur u ribashkuan për pak kohë pas trembëdhjetë vjetësh, në qershor të vitit 1935, në ditën kur ai mbërriti në Paris në rolin e makthshëm të delegatit zyrtar sovjetik në Kongresin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve për Mbrojtjen e Kulturës: nuk e paralajmëroi të mos kthehej, as të mos e çonte ndër mend të kthehej në Moskë. Ndoshta ngazëllimi i derdhur në këtë letërkëmbim mund të bëhej më i dukshëm nëpërmjet ndarjes dhe si reagim ndaj mënyrave me të cilat ata dështuan me njëri-tjetrin (ashtu shkrimtarët më e mëdhenj kanë pa dyshim kërkesa shumë të larta dhe lexuesi dështon t’i përmbush ato). Asgjë nuk mund të zbeh përshkënditjen e këtyre shkëmbimeve gjatë disa muajve të viti 1926 kur vërtiteshin rrotull njëri-tjetrit, duke bërë kërkesa të pamundura, të lavdishme. Sot, kur “Janë kthyer me gjithsej në farisej”, fraza është e Pasternakut, pasioni i zjarrtë dhe vendosmëria e tyre është diçka e konkrete ashtu si janë le të themi, varka, fari dhe plazhi.

Përktheu: Granit Zela

Top Channel