Në një prej episodeve të fundit të mizorisë së përdhunimeve në Indi, një vajzë shkolle është rrahur, përdhunuar e madje varrosur e gjallë, por i ka mbijetuar tmerrit kur prindërit dëgjuan të qarat e e saj.
14-vjecarja u sulmua pranë shtëpisë së saj teksa ishte duke bërë punët e përditshme në një fshat në provincën Madhya Pradesh në Indinë qendrore.
Adoleshentja u gjet rrëzë një mali e mbuluar me shkurre dhe gurë nga familjarët e saj të tmerruar që dëgjuan të qarat e agonisë, dhe e dërguan me urgjencë në spital.
Policia tha se ka arrestuar sulmuesin e dyshuar, një fqinj 35-vjeçar, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për përdhunim.
Sipas autoriteteve ai e kishte hedhur vajzën në një rrëpirë pasi e kishte përdhunuar, më pas e kishte goditur me gurë dhe ishte përpjekur ta varroste të gjallë.
Para incidentit vajza po shkonte për të kryer punët e saj në fshat, kur sulmuesi i ishte afruar.
Familja e saj u shqetësua dhe kur vajza nuk u kthye për disa orë, ata dolën ta kërkonin.
“Ajo kishte dalë nga shtëpia rreth orës 5 pasdite dhe kur nuk u kthye, familjarët nisën ta kërkonin”, tha Mahendra Chouhan, kreu i stacionit të policisë së Sarni.
Duke kërkuar në errësirë për vajzën, prindërit dëgjuan disa të qara të mbytura që vinin nga rrëpira pranë shtëpisë së tyre. Ata gjetën më në fund vajzën e plagosur, të cilën e dërguan në spital prej gjendjes së rëndë.
Megjithë sulmin e rëndë, adoleshentja i tha policisë se e njihte sulmuesin. Autoritetet thanë se ajo është në gjendje të stabilizuar. I dyshuari është arrestuar për sulm fizik dhe përdhunim.
Tragjedia e 14-vjecares është më e fundit nga disa sulme brutale ndaj vajzave të komunitetit indian Dalit, i cili është i fundit në hierarkinë e kastave të popullsisë në vend, shkruan britanikja The Sun.
Në nëntor një vajzë 16-vjeçare u përdhunua teksa çonte vëllanë e vogël në një tualet publik në fshatin e saj në Uttar Pradesh pranë Delhi.
Një muaj më herët një vajzë 12-vjeçare nga krahina indiane Navsari kishte mbetur shtatzënë pasi ishte përdhunuar nga tre kushërinjtë e saj.
Top Channel