Në prill të vitit 2020 mazhoranca miratoi në parlament ndryshimin e kontratës koncesionare të Portit MBM të hidrokarbureve në Porto-Romano për të lejuar përpunimin e mallrave të tjerë.

Kështu, me zgjerimin e aktivitetit të portit, përveç anijeve që transportojnë hidrokarbure, operatori i portit ka të drejtë të ngarkojë, shkarkojë, magazinojë dhe ankorojë në port anije që transportojnë mallra të tjera.

Në prill 2020, kompania koncesionare ka kërkuar të ndryshojë kontratën dhe të mund të përpunojë e magazinojë dhe mallra të tjerë, përveç hidrokarbureve.

Argumentimi i koncesionarit për shtesën e kontratës është “mundësia për të shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e portit”.

Por tashmë Shoqëria “ROMANO PORT” SH.A. e cila (është regjistruar si shoqëri tregtare, me objekt të veprimtarisë së saj ndërtimin dhe shfrytëzimin e portit të hidrokarbureve në zonën e Porto-Romanos, Durrës, funksionimin e terminalit, administrimin e pontilit, shërbimin e rimorkimit të tankerëve (mjeteve portuale), pilotimin, ormexhimin, pastrimin, furnizimin me karburant, furnizimin me ujë, furnizimin teknik dhe të ushqimit etj), ka kërkuar “shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i ligjit nr. 58/2020 “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multi BUOY Mooring)”, të ndryshuar.

Si dhe ka kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 58/2020 “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr.104/2015 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multi BUOY Mooring)”, të ndryshuar”.

Sipas kësaj shoqërie është cenuar interesi privat e publik për shkak të paqartësisë së dokumenteve dhe të mungesës së transparencës së procedurave për zhvillimin e konkurrimit për lidhjen e shtesës së kontratës së koncesionit, e miratuar me ligjin nr. 58/2020, si dhe pretendime që lidhen me vetë përmbajtjen e shtesës së kontratës së koncesionit.

Ajo ka parashtruar se marrëveshja e koncesionit, e miratuar me ligjin nr. 58/2020, bie ndesh me nenet 18 dhe 82 të Kodit Detar, duke cenuar parimin e hierarkisë së normave juridike.

Ndërkohë që në argumentet e tyre përmendet edhe fakti që Presidenti Meta asokohe e ktheu ligjin e miratuar në parlament. Meta argumentonte se me miratimin e shtesës së kontratës, Ministria e Infrastrukturës ka shkelur procedurat e konkurrimit – shtesa e kontratës u bë me negocim të drejtëpërdrejtë mes kompanisë koncesionare dhe shtetit.

Por ndërkohë në një vendim të fundit për çështjen e referuar Kolegji i Gjykatës Kushtetuese konstaton se shoqëria në fjalë i është drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, duke mos shteruar mjetet juridike në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave, që ajo pretendon se i janë cenuar.

Kështu kolegji i Gjykatës Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e tyre me argumentin se: Kolegji konstaton se ajo i është drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, duke mos shteruar mjetet juridike në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave, që ajo pretendon se i janë cenuar.Kolegji çmon se kërkuesja nuk ka shteruar të gjitha mjetet ligjore në dispozicion dhe nuk ka pretenduar se këto mjete nuk janë efektive për mbrojtjen e të drejtave të saj. Për rrjedhojë, kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Për më tepër, Kolegji vëren se kërkuesja jo vetëm që është në dijeni të këtij mjeti juridik, por edhe e ka përdorur atë për të kundërshtuar gjyqësisht kontratën bazë të koncesionit të lidhur midis Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë tregtare “Porti MBM” sh.a., të miratuar me ligjin nr. 104/2015, shtesën e së cilës e kundërshton drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të padisë së ngritur nga kërkuesja, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e ndërmjetëm të datës 01.11.2018, ka vendosur rrëzimin e kërkesës, të ngritur nga palët e paditura nga kërkuesja, për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit. Në vijim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2020-41, datë 18.05.2020, ka vendosur mospranimin e ankimit të veçantë, duke urdhëruar vazhdimin e gjykimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

17. Po ashtu, lidhur me pretendimet e kërkueses se shtesa e kontratës së koncesionit, që ajo kundërshton, cenon marrëveshjen e saj të koncesionit, të miratuar me ligjin nr. 9298/2004, të ndryshuar, Kolegji vëren se neni 46 i ligjit nr. 125/2013 dhe neni 13 i kontratës së koncesionit, i ndryshuar me ligjin nr. 10108, datë 02.04.2009, e përfituar nga kërkuesja, parashikojnë si mjet të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve fillimisht arbitrazhin dhe më pas padinë në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Nga aktet shoqëruese të kërkesës nuk rezulton që kërkuesja t’i ketë shteruar këto mjete juridike përpara paraqitjes së ankimit individual kushtetues në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në vendimin e Kolegjit. 

Top Channel