Finalja e Superkupës së Spanjës do të luhet mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos. Skuadra baske eliminoi Realin e Madridit në gjysmëfinalen e zhvilluar në “Rosaleda” të Malagas me rezutatit 1-2. Një goditje e fortë për skuadrën e drejtuar nga Zinedine Zidane, që humb mundësinë për të fituar trofenë e parë sezonal në Spanjë.
“Los Blancos” zhvilluan një pjesë të parë të dobët, duke pësuar dy gola me autor veteranin Raul Garcia. Të parin 34-vjeçari e shënoi në minutën e 18-të, ndërsa të dytin në të 38-tën me 11-metërsh.
Reali u mundua të kthente ndeshjen në pjesën e dytë, madje e shkurtoi diferencën në 1-2 me Benzemanë në minutën e 73-të, pas asistit të Casemiros, por pa mundur të bëjë më shumë. Ankth në minutat shtesë, teksa Reali po kërkonte me çdo kusht golin e barazimit dhe pati një episod të dyshimtë, por gjithsesi sistemi VAR nuk gjeti elementë të mjaftueshëm për t’i akorduar skuadrës kampione në fuqi penallti.
Finalja e madhe e Superkupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Bilbaos do të zhvillohet të dielën, në orën 20:00.
Top Channel