Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa mbrëmë rezultoi pozitiv në testin e COVID-19.
Në një deklaratë të Presidencës së vendit thuhet se 72-vjeçari Rebelo de Sousa nuk ka treguar asnjë simptomë të koronavirusit deri më tani, por do të vetizolohet në rezidencën e tij zyrtare.
Në njoftim thuhet se presidenti më herët gjatë ditës kishte rezultuar negativ në testin e antigjenit, por në mbrëmje rezultoi pozitiv në testin PCR.
Rebelo de Sousa ishte në karantinë për gjysmë dite pas zbulimit të koronavirusit më 6 janar tek njëri nga këshilltarët e tij të cilin ai e kishte takuar më 4 janar dhe vazhdoi programin e tij zyrtar me këshillën e mjekëve pasi testet ishin negative.
Rebelo de Sousa është edhe njëri prej kandidatëve në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 24 janar, ndërsa sondazhet e konsiderojnë atë si favorit për të fituar zgjedhjet.
Top Channel