Zbulohet ‘kasaforta’ e mafias Camorra në Napoli, autoritete italiane gjejnë 3.2 milionë euro cash të fshehura në mure e pllaka

23/09/2026 14:03

Autoritetet italiane u përballën me një zbulim që të kujtonte skena nga filmat kriminalë kur, gjatë një operacioni të madh kundër Camorrës, gjetën më shumë se 3.2 milionë euro cash, të fshehura me kujdes brenda mureve, nën pllaka dhe në mobilie të projektuara posaçërisht në një apartament në zonën e Caivanos, pranë Napolit.

Policisë iu desh të përdorte çekiçë për të zbuluar vendet e fshehjes, ku gjeti tufa me kartëmonedha 50-euroshe, të mbështjella me celofan dhe të renditura në rreshta.

Shuma totale ishte 3,296,265 euro, ose afërsisht 3.6 milionë dollarë. Krahas parave, u gjetën edhe 11 orë luksoze Rolex, me një vlerë totale të vlerësuar prej gati 130,000 eurosh.

Operacioni u zhvillua të hënën, më 21 shtator, dhe çoi në arrestimin e 34 personave, të cilët dyshohet se janë të lidhur me një organizatë kriminale aktive në trafikun e drogës dhe zhvatje.

Sipas RaiNews, apartamenti i përkiste Raffaele Giampella-s, i cili konsiderohet nga hetuesit si një person me rol të rëndësishëm në aktivitetet e fraksionit Angelino, në zonën e njohur si “Bronxi i Caivanos”.

Vendet e fshehjes nuk ishin të zakonshme. Ishin ndërtuar zgavra të posaçme në mure dhe sirtarë të fshehur në bazën e mobilieve, të cilat hapeshin me ndihmën e sistemeve të sofistikuara elektronike.

Dëshmia e një oficeri të zbatimit të ligjit thuhet se luajti një rol vendimtar në gjetjen e thesarit të fshehur.

Sipas asaj që ai u zbuloi autoriteteve, për paratë kujdesej bashkëshortja e Giampella-s, e cila sigurohej që shtëpia të mos mbetej kurrë pa mbikëqyrje.

Madje, ajo dyshohet se organizonte turne me fëmijët e saj, njëri prej të cilëve ishte i mitur, për të garantuar që hapësira të qëndronte nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Rasti bëhet edhe më interesant për shkak të mënyrës se si dyshohet se vepronte organizata kriminale.

Autoritetet italiane kanë arritur të monitorojnë komunikimet telefonike të anëtarëve të mafies të burgosur, të cilët përdornin celularë të futur ilegalisht në burg nga të afërmit e tyre.

Këto biseda i ndihmuan hetuesit të rindërtonin veprimet e grupit dhe mënyrën se si ai vazhdonte të vepronte pavarësisht burgosjes së anëtarëve të tij kryesorë.

Sipas hetuesve, edhe kreu i dyshuar i organizatës, Antonio Angelino, vazhdonte të jepte urdhra nga brenda burgut.

Prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, përshkroi një sistem që funksiononte me logjikë biznesi, me turne të caktuara, një grafik furnizimi dhe ndarje të përgjegjësive.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, sasitë e drogës dorëzoheshin çdo të hënë, ndërsa pagesa për to duhej të kryhej deri të premten pasuese.

Aktivitetet individuale shpesh organizoheshin në nivel familjar, me qëllim kufizimin e përfshirjes së palëve të treta.

Njëkohësisht, sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, anëtarët e grupit ekspozonin orë luksoze Rolex në rrjetet sociale, duke u përpjekur të demonstronin fuqinë financiare të organizatës.

Operacioni u krye nga karabinierët e departamentit hetimor të Castello di Cisterna dhe njësitë operacionale të zonave Caivano dhe Casoria.

Në total, u lëshuan urdhër-arreste për 34 persona, nga të cilët 23 u vendosën në paraburgim dhe 11 në arrest shtëpie.

Akuzat përfshijnë, sipas rastit, pjesëmarrjen në një organizatë kriminale të armatosur të tipit mafioz, trafikimin e drogës, zhvatjen dhe posedimin e drogës me qëllim trafikimi.

Paratë e sekuestruara planifikohet të derdhen në Fondin Italian të Drejtësisë, i cili mbështet, ndër të tjera, viktimat e krimit të organizuar.

Prokurori Gratteri, duke iu referuar shumës së konsiderueshme, komentoi se vetëm paratë e gjetura në apartament mund të mbulonin koston e një viti të tërë përgjimesh telefonike në Napoli.

Top Channel