Vetëm disa orë pasi është larguar kryeministri shqiptar Edi Rama nga Athina, është depozituar në parlamentin grek projektligji i Ministrisë së Jashtme për zgjerimin e ujërave detare në detin Jon.
Projekt-ligji, i cili rrit kufijtë e territorit me shtrirjen nga 6 në 12 milje detare në Detin Jon, është planifikuar të paraqitet për diskutim në Komisionin kompetent për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen këtë të martë në 12 janar , në se do të jetë e nevojshme do të rishikohet pas 3 ditësh dhe do të prezantohet në seancë plenare të martën tjetër më 19 janar.
Projekt-ligji përbëhet nga pesë nene. Në veçanti tek neni i parë përcaktohet zona ku zbatohet që ka të bëje me Detin Territorial, nga pika më veriore e të Ishujve Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez. Bëhet e qartë se zona e mësipërme përfshin brigjet kontinentale të territorit grek, si dhe ishujt dhe shkëmbinjtë e saj sipas Nenit 121 të Konventës së Kombeve të Bashkuara të 1982 mbi Ligjin e Detit.
Në paragrafin e dytë theksohet se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj,si ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit.
Neni i dyte dhe ai i tretë, i referohen shtrirjes së Detit Territorial që përcaktohet në 12 milje të cilat llogariten nga vija bregdetare dhe vija bazë pas mbylljes së gjireve.
Neni katër përfshin peshkimin nga anijet e peshkimit të BE-së për të cilat deklarohet se mund të lejohen në zonën detare që përcakton neni 1 dhe në ujërat e Detit Territorial midis 6 dhe 12 miljeve detare mbi baza të përkohshme, me vendime të Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Ushqimit dhe për periudhën e përcaktuar në këto vendime, siç përcaktohet në pikën 5 të nenit 4 të Rregullores së BE-së 1380/2013.
Projektligji përfundon me nenin pesë, i cili thotë se hyrja në fuqi e këtij ligji fillon me botimin e tij në fletoren zyrtare .
Për shkak se me këtë projektligj zgjerohen kufijtë e vendit Kryetari i Parlamentit Konstantinos Tassoulas ka njoftuar se do të ushtrojë të drejtën që ka nga Rregullorja për të mbajtur votim me emër të çdo deputeti në mënyre që të duket edhe shumica absolute.
Sic theksojnë burime diplomatike për herë të parë me anë të këtij ligji zgjerohet territori në të cilin vendi ushtron sovranitet dhe se kjo sjell njëkohësisht zgjerimin e hapësirës ajrore dhe ushtrimin e sovranitetit te plote edhe ne ujërat territoriale, përfshirë shtratin e detit dhe nëntokën e tij.
Po sipas të njëjtave burime ky zhvillim i rëndësishëm është pjesë e strategjisë për të ushtruar të drejtat qe jepen nga e drejta ndërkombëtare, por edhe për të kërkuar konsensus me vendet fqinje, për të përfunduar marrëveshje me ta për caktimin e zonave detare, duke promovuar marrëdhënie të mira dhe promovimin e sigurisë, prosperitetit dhe bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.
Top Channel