UEFA i ka dhënë fund dilemave për klubin e Skënderbeut dhe kohën se kur përfundon dënimi për korçarët.

Në një reagim për gazetarin e Top Channel, Denis Lala, institucioni europian i futbollit konfirmoi se tetë herë kampionët e Shqipërisë do të mund të kthehen të luajnë në Europë në sezonin 2028/2029.

“Ju informojmë se klubi do të lejohet të marrë pjesë në kompeticionet e UEFA-s që nga sezoni 2028/29, me kusht që të jetë kualifikuar dhe të përmbushë kriteret e përcaktuara”, thuhet në reagimin e UEFA-s për Top Channel.

Kjo do të thotë edhe dy vite pritje për bardhekuqtë, ndërsa UEFA nuk ka saktësuar se përse dënimi fillestar prej 10 vitesh i dhënë në vitin 2016 për trukime ndeshjesh, papritur u konvertua në 12 vite, duke qenë se do t’i duhet të presë edhe dy sezone të tjera për të pasur të drejtën të luajë në kupat e Europës, nëse arrin të kualifikohet.

Vetë presidenti i klubit, Ardjan Takaj gjithashtu në një reagim për Top Channel pak ditë më parë, pati deklaruar se dënimi kishte përfunduar dhe sipas korrespondencës së fundit me UEFA-n, Skënderbeu sipas tij kishte të drejtë të merrte pjesë në kompeticionet europiane duke nisur nga ky sezon.

Top Channel