“Frymën ta marr, po desha e zemrën ta ndal”/ Covid-i i mori jetën, kënga e Kujtim Prodanit për koronavirusin

06/01/2021 15:49
Fotografi e Kujtim Prodanit nga "Shefqet Ndroqi"

Arti është në zi! Artisti i mirënjohur, Kujtim Prodani ndërroi jetë ditën e sotme, teksa ishte infektuar nga Covid-19.

I ndjeri gjendej i shtruar prej disa ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për shkak se kishte nevojë për oksigjen dhe ndihmë mjekësore.

Fundin e vitit të shkuar, Prodani e dha vetë lajmin përmes një postimi në Facebook, ku shkroi:

“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe!”

Në prill të 2020-ës, atëherë kur kishte vetëm pak javë që COVID-i kishte hyrë në Shqipëri, Kujtim Prodani shkroi një këngë me titull “Ju flet Corona”.

Teksti i këngës

Ju flet Corona..!

Askush nuk ta mësoi si thyhet befas jeta
Ditënatën ta jetosh në grimca pafundësie
As dashurinë ta ndash në vakte racionale
Më kot përpiqesh, nuk gjen dot manuale.

I mësove të gjitha si në lojra fëmijërie
Patinat e kuqe në park, xhirot larg në Mars!
Trenin, avionin, raketat dhe poezitë
Të gjitha i mësove, përmendësh, natyrisht.

E tani, rregulloren e vetmisë studion
I flakur në shtrat gjersa mendja fiket
Formulat magjike ti sjell ndërmend
Të zbulosh, në dëshpërim, prej meje si iket.

Dhe unë të shoh nga larg, të shoh edhe nga afër
Ashtu të trembur si në klasën e parë
Hyj brenda teje, syrin t’shkel si gringo
Frymën ta marr po desha e zemrën ta ndal!

Por frymën ma ndal pika jote e lotit
Fryma e nxehtë e të dashurës që të pret
Frymën ma ndal enigmë e shpirtit tënd që s’vdes…!

Unë tretem ngadalë në brishtësinë tënde,
I humbur n’betejën time përjetësisht
Ti mbetesh aty, mbi Tokë, me kujtimin tim gdhendur
Që si ëndërr e keqe të kujtoi
Të jesh njeri,
Thjeshtë njeri,
I mirë siç lind,
Dashurisht njeri…!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA