Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19.
Hoti e ka siguruar Varhelyi-n, se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Hoti me këtë rast e ka falënderuar Varhelyi, edhe për përkrahjen në lancimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.
Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.
Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.
Tutje Hoti falënderoi gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19.
Top Channel