Gjermania kundër embargos së armëve ndaj Turqisë

22/12/2020 12:24

Gjermania është kundër kërkesave të Greqisë për vendosjen e embargos të armëve ndaj Turqisë, për shkak të tensioneve në Mesdheun Lindor, theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Heiko Maas, për agjencinë e lajmeve DPA tha se ai e konsideron embargon e armëve ndaj Turqisë “strategjikisht të padrejtë”.

Nuk është e lehtë ta bësh këtë me një anëtar të NATO-s, tha ai, duke shtuar se Turqia bleu me lehtësi raketa nga Rusia kur nuk mund t’i merrte nga SHBA-ja. Duke ndarë shpresat e tij se mosmarrëveshja në Mesdheun Lindor mund të zgjidhet përmes kanaleve diplomatike, Maas tha:

“Sigurisht, ne vazhdojmë të besojmë se ekziston një zgjidhje për konfliktin dhe se nuk duhet të heqim përgjithmonë një partner të NATO-s nga bashkëpunimi për armët”.

Greqia bëri thirrje për një embargo të armëve të BE-së ndaj Turqisë, për shkak të tensioneve të fundit në Mesdheun Lindor përpara samitit të udhëheqësve të BE-së më 10 dhe 11 dhjetor. Por një shumicë e udhëheqësve evropianë kundërshtuan idenë e embargos së armëve ose sanksioneve ekonomike, duke zgjedhur në vend të kësaj një formë më të butë.

Turqia, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës Greke Qipriote dhe theksoi se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Turqve Qipriotë.

Ankaraja ka dërguar disa anije kërkimore në muajt e fundit për të hulumtuar për burimet e energjisë në Mesdheun Lindor, duke mbrojtur të drejtat e veta në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Udhëheqësit turq kanë thënë vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA