Mesditën e kësaj të marte, anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese, Altin Binaj është betuar përpara Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, gjyqtari Binaj duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u shpreh:
“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Presidenti i Republikës i uroi suksese dhe punë të mbarë anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese në detyrën e tyre shumë të rëndësishme e me përgjegjësi të lartë. Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca dhe drejtuesja e misionit OPDAT të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Michelle Lakomy.
Betimi vjen pasi Binaj u zgjodh nga Kuvendi në seancën e shkuar plenare. Përpos tij, pjesë e GJK-së janë edhe Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgjin, në një kohë kur institucioni, që të jetë funksional duhet të ketë të paktën 6 anëtarë.
Nga ana tjetër, KED është në përfundim të procesit të vlerësimit të dy kandidatëve për vendin e lënë vakant nga Besnik Imeraj. Sot pritet të pikëzohen Përparim Kalon dhe Aleksandër Toma, emrat e të cilëve do t’i dërgohen më pas presidentit për të zgjedhur.
Top Channel