Tre raketa kanë sulmuar sot ambasadën e SHBA në kryeqytetin irakian Bagdad.
Nuk është e qartë nëse ka pasur lëndime, por u konfirmua se u shkaktua dëm material dhe disa automjete u shkatërruan në parkingun e ambasadës, përcjell AP deklaratën e një zyrtari në kushte anonime.
Ambasada amerikane u kundërpërgjigj duke aktivizuar sistemin mbrojtës antiraketë C-RAM, i cili u ngrit këtë verë në mënyrë që të zmbrapsë përpjekjet gjithnjë e më të shpeshta për të goditur misionin diplomatik amerikan në kryeqytetin e Irakut.
Sulmi shkaktoi frikë për shkak të trazirave të mundshme në prag të përvjetorit të vrasjes së gjeneralit Qasim Suleimani, komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane, i cili u likuidua më 3 janar të këtij viti, jo shumë larg aeroportit të Bagdadit.
Nga frika e hakmarrjes përpara përvjetorit të parë të vrasjes së Suleimanit, Shtetet e Bashkuara urdhëruan një reduktim të numrit të punonjësve në ambasadën në Bagdad.
Frekuenca e sulmeve me raketa kundër Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së Suleimanit shkaktoi shqetësim të administratës Donald Trump dhe akuza ndaj grupeve të armatosura shiite pro-iraniane.
Uashingtoni paralajmëroi në shtator se do të mbyllte ambasadën e tij në Bagdad nëse qeveria irakiane nuk do të ndërmerrte hapa vendimtarë për të parandaluar sulmet me raketa dhe sulme të tjera nga formacionet pro-iraniane mbi synimet dhe interesat amerikane në atë vend.
Top Channel