Wadephul për negociatat/ Shqipëria të përmbushë kushtet

26/11/2020 14:28

Dy javë para se BE-ja të marrë vendimin përkatës për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul ka shprehur dyshime se çelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë mund të fillojë në fund të dhjetorit, thotë DW.

Wadephul u shpreh në një takim me gazetarët e huaj në Berlin, se nëse Maqedonia e Veriut arrin një zgjidhje me Bullgarinë, atëherë dera për të është e hapur. Por për Shqipërinë, theksoi se duhet të plotësohen ende kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe BE-ja.

“Në 26 shtator 2019 vendosëm si parlament për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kjo më kushtoi mua shumë energji”, tha Wadephul, “por ne vendosëm disa parakushte dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin. Është detyra e deputetëve të grupit tim parlamentar në Komisionin e Jashtëm dhe atë të BE-së që të sigurojnë që këto parakushte të merren seriozisht dhe të zbatohen plotësisht”.

Bundestagu Gjerman miratoi më 26 shtator 2019 hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çelja e konferencës së parë ndërqeveritare, që do të thotë edhe hapja faktike e negociatave, u lidh me dy kushte: funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë dhe reforma e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të ishte gjithëpërfshirëse. Dhe siç theksoi Wadephul, konstatimi për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe  asaj të Lartë është i dukshëm, tha Wadephul:  E para ka emëruar deri tani vetëm 4 nga gjithsej 6 gjyqtarët e duhur për vendimmarrje, e dyta vetëm tre nga 19.

Përsa i përket kushtit të dytë, ai tha se reforma zgjedhore vërtet që u arrit në një proces përfshirës në 5 korrik, “por, një pjesë e rëndësishme e saj u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore. Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua edhe nga OSBE-ja”, tha deputeti kristiandemokrat i cituar nga DW.

Top Channel