Piktura €85,000,000 sekuestrohet pasi familja e fshihte ‘prej trafikantëve’ në Itali (fotot)

26/04/2024 17:22

Një pikturë e rrallë e shekullit të 15-të nga mjeshtri Sandro Botticelli, është sekuestruar nga policia në një shtëpi në jug të Italisë.

Autoritetet italiane thonin se kishin humbur rreth 50 vjet më parë gjurmët e pikturës së epokës së Rilindjes, që besohet se kushton rreth  85,000,000 euro.

Fillimisht e dhuruar nga artisti për Papën Sixtus IV, piktura u vendos në një kishë në qytezën Santa Maria la Carità.

Botticelli besohet se ia dhuroi një ferme të madhe në Gragnano me kërkesë të Papës. Prona zotërohej nga familja e lashtë italiane Medici, shkruan rrjeti Art Newspaper.

Megjithëse besohej e humbur prej vitesh, karabinierët e degës së trashëgimisë kulturore njoftuan gjetjen e saj ne Gragnano, pranë Napolit vitin e shkuar.

Familja Somma që e kishin atë në shtëpi thanë se e mbanin për ta mbrojtur nga trafikantët.

Nello D’Auria, kryebashkiaku i Gragnano që ndërmjetësoi procesin tha se kreu i familjes Michele Somma i kishte rrëfyer sekretin, citon rrjeti vendas Il Messeggero.

Piktura që përfaqëson ‘Madonna e bambino’, ka pësuar dëmtime të vogla në sipërfaqe dhe tashmë kërkon një restaurim të detajuar.

Mes kryeveprave të famshme të Botticelli përfshihen pikturat ‘Lindja e Venusit’ e ‘Primavera’, të cilat shfaqen në galerinë ‘Uffizi’ në Firenze.

FOTO GALERI
1/3
Autoritetet italiane thonin se kishin humbur rreth 50 vjet më parë gjurmët e pikturës së epokës së Rilindjes, që besohet se kushton rreth 85,000,000 euro.

Top Channel