Presidenti i La Ligës, Javier Tebas ka thënë se largimi i mundshëm i Lionel Messit nga Barcelona nuk do të kishte ndikim negativ në kampionat.
Ylli argjentinas mund të largohet si lojtar i lirë nga skuadra katalunase në fund të këtij edicioni, pasi edhe kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2021.
Kreu i kampionatit spanjoll ka bërë të ditur se do të donin që Messi të qëndronte, mirëpo si largimi i Cristiano Ronaldos dhe ai i Neymarit, nuk solli ndonjë ndryshim.
“Ne do të preferonim që Messi të qëndronte në La Liga. Sidoqoftë, Ronaldo dhe Neymar u larguan më herët dhe ne nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim. Jemi gati për çdo gjë”, ka thënë Tebas.
“Duket se klubi i vetëm në Ligën Premier, që flet për rekrutimin e Messit, është Manchester City, i cili garon jashtë rregullave”.
“Unë nuk jam i vetmi që e them këtë. Nuk jam shumë i shqetësuar për ta. Unë e kam kritikuar atë që bëjnë kaq shumë herë. Bërja e kësaj edhe një herë nuk përbën asnjë ndryshim”.
“Manchester City nuk preket nga COVID-19 ose ndonjë gjë tjetër, sepse financohet ndryshe dhe është e pamundur të luftohet kundër tyre”, ka shtuar më tej presidenti i La Ligës.
33-vjeçari mund t’i bashkohet Cityt në afatin kalimtar të verës, por nuk përjashtohet edhe kalimi i tij në janar.
Top Channel