Tubime pro-Presidentit Trump në Uashington dhe qytete të tjera

15/11/2020 02:44

Përkrahës të Presidentit Trump janë mbledhur në Uashington në mbështetje të deklaratave të tij për mashtrime në zgjedhjet e 3 nëntorit, megjithëse këto pretendime nuk janë mbështetur me fakte.

Një numër demostratash po zhvillohen, një prej tyre e titulluar “Një Milion për MAGA” (fraza e presidentit: E bëjmë Amerikën Përsëri të Madhërishme); një demonstrim i “Grave për Trumpin” si dhe një protestë me titullin “Mjaft me Vjedhje”. Presidenti Trump nuk ka pranuar humbjen në zgjedhje, megjithëse media e ka shpallur demokratin Biden fitues të pritshëm. “Koha do ta tregojë” u shpreh dje presidenti në konferencën për shtyp. Ai ka këmbëngulur se ka pasur parregullsi në një numër shtetesh të lëkundura, megjithëse zyrtarët që administrojnë procesin zgjedhor në këto shtete, qofshin të përkatësisë partiake republikane apo demokrate, kanë deklaruar se nuk ka pasur parregullsi serioze që kanë ndikuar tek rezultati.

Tubimet e së shtunës janë reklamuar nga figura të medias konservatore si dhe organizata të nacionalistëve të bardhë dhe pritet të përballen nga demonstrata rivale me protestues të grupeve anti-raciste dhe organizatave të majta. Organizata e ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) tha se disa anëtarë të saj do të marrin pjesë dhe se Alex Jones, personalitet mediatik i portalit me teori konspirative “Infowars” do të kryesojë një autokolonë nga Teksasi që do të marrë pjesë në demonstrimin “Mjaft me Vjedhje”.

Protesta të ngjashme janë njoftuar në disa qytete amerikane. Të premten, presidenti komentoi në Twitter: “Të ngrohet zemra kur sheh një mbështetje të jashtëzakonshme, sidomos me tubimet që po organizohen në të gjithë vendin, përfshirë demonstrimet e mëdha në Uashington të shtunën. Ndoshta do të dal t’i përshëndes”.

Ai shkoi për pak kohë për të përshëndetur protestuesit të shtunën paradite. Zyrtari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Christopher Rodriguez, tha në një konferencë për shtyp të enjten se është në dieni të planeve por se pritet të jenë grupe të vogla. Zyrari theksoi se nuk do të tolerohen akte dhune gjatë tubimeve./VOA

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA