Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të enjten tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

“Si parim i përgjithshëm, ne gjithmonë i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi, dhe pjesën tjetër të rajonit, që të promovojnë atmosferë e cila do të ndihmonte stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i BE-së, Peter Stano.

Komentet e Vuçiqit, që i bëri pas një takimi në Beograd me ambasadorët e vendeve të Kuintit, nxitën reagime në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë kërkuar reagimin e BE-së dhe NATO-s, pas deklaratave të Vuçiqit.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiq”, shkroi Osmani në Twitter.

Ndërkaq, Hoti tha se deklarimi i Vuçiqit është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, “nën garancitë e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, as NATO nuk pranoi të komentojë deklaratat e presidentit serb, Vuçiq, por nga kjo aleancë thanë se vazhdojnë ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiq, të enjten mori si shembull konfliktin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhani, kur foli për dialogun me Kosovën, duke thënë se “konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”.

“Porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, shtoi Vuçiq./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA