Nga Lufta e Ftohtë, në Luftën Gri; konflikti në internet intensifikohet

27/10/2020 03:20

Një ish-këshilltar i lartë i sigurisë për kryeministrin britanik Boris Johnson ka zbuluar se Britania ka zhvilluar rishtazi një seri sulmesh të fshehta kibernetike ndaj udhëheqësve rusë dhe interesave të tyre për “të shkaktuar pasoja më të mëdha se ç’mund ta kishin pritur” pas ofensivës së tyre kibernetike ndaj Perëndimit.

Fuqi të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po veprojnë në të njëjtën mënyrë, thonë zyrtarë të shërbimeve perëndimore të zbulimit për atë që po shndërrohet në një konflikt kibernetik me Kremlinin në të ashtuquajturën “hapësirën gri”, në vakumin mes marrëdhënieve normale shtetërore dhe konfliktit të armatosur. “Fakti që nuk na shikoni t’i përdorim, nuk do të thotë se nuk i përdorim, sepse nuk do të flisnim domosdoshmërisht për të tilla gjëra”, tha Mark Sedwill që deri rishtazi ka qenë punonjësi më i lartë civil i Britanisë dhe këshilltar i sigurisë kombëtare për Kryeministrin Boris Johnson.

Por, në një intervistë me gazetën “The Times”, zoti Sedwill nënvizoi se Britania po përdor aftësitë e saj kibernetike për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve kibernetike, luftës së informacionit dhe fushatave destabilizuese ruse. “Përpiqemi të imponojmë pasoja, zakonisht me një çmim më të madh se sa mund ta kishin pritur, atëherë kur besojmë se është e drejtë dhe e nevojshme”, tha ai. “Nuk mund ta lëmë iniciativën në dorën e kundërshtarëve tanë”, shtoi ai.

Britania ka patur aftësi kibernetike prej mbi një dekade dhe i ka përdorur kundër Shtetit Islamik, siç ishte edhe sulmi me drone të thjeshta ndaj grupit terrorist në qytetin irakian Mosul në vitin 2018. Por, zyrtarët rrallë diskutojnë se si mbrohen apo zhvillojnë sulme hakerësh – dhe as nuk kanë shprehur publikisht se çfarë konsiderojnë objektiva të ligjshme, përtej një lufte të plotë dhe të deklaruar. Muajin e kaluar, Gjenerali Patrick Sanders, i cili drejton komandën strategjike të Britanisë, e ngriti paksa siparin, duke u thënë gazetarëve se teorikisht Britania ka aftësinë të “degradojë, të destabilizojë dhe madje të shkatërrojë kapacitetet dhe infrastrukturën jetësore të atyre që kërkojnë të na dëmtojnë, që nga objektivat strategjikë dhe deri tek ata taktikë”. Ushtria britanike vepron në bashkëpunim me GCHQ-në, agjensinë britanike të zbulimit elektronik.

Gjenerali Sanders tha se “dallimi i qartë mes luftës dhe paqes që kemi patur dikur, nuk vlen më”. Për herë të parë, zoti Sedwill tha se Britania ka përdorur aftësitë e saj kibernetike për t’u kundërpërgjigjur ndaj sulmit me noviçok ndaj Sergei Skripalit, ish-agjent i dyfishtë rus, në qytetin britanik Salisbury. “Pas sulmit në Salisbury, përdorimit të parë që prej një shekulli të armëve kimike kundër një vendi në Evropë, ne u kundërpërgjigjëm në mënyra të dukshme. Dëbuam të gjithë rrjetin e zbulimit rus në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai. “Por, ne ndërmorëm gjithashtu një seri masash të tjera të padukshme, duke ndërprerë disa kanale parash të pista nga Rusia, si dhe masa të tjera të fshehta për të cilat sigurisht që nuk mundem të flas”, shtoi ai.

Komentet e zotit Sedwill sugjerojnë se fuqitë perëndimore gjithnjë e më tepër po i heqin dorashkat në një “luftë gri” në rritje me Rusinë, si dhe me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut. “Është e rëndësishme që të kemi aftësinë të manovrojmë në hapësirën gri, në atë zonë dhe po e bëjmë me efikasitet. Nuk mund t’ua lëmë iniciativën kundërshtarëve tanë”, tha ai.

Javën e kaluar, prokurorë federalë amerikanë bënë të ditura publikisht akuza ndaj gjashtë operativëve rusë të zbulimit ushtarak për një seri sulmesh kibernetike në një fushatë ofensive që synon dëmtimin e demokracive perëndimore, nëpërmjet mbjelljes së konfuzionit për çdo gjë, që nga zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe deri tek Lojërat Olimpike të vitit 2018 në Korenë e Jugut. Akuzat vijnë si rezultat i hetimeve të zgjatura të analistëve të FBI-së, në bashkëpunim me kompanitë Google, Cisco, Facebook dhe Twitter, si dhe me agjensitë aleate perëndimore të zbulimit, përfshirë ato të Britanisë.

Operacionet kibernetike ruse përfshijnë sulmet ndaj rrjetit ukrainas të furnizimit me energji, duke ndikuar tek jetët e qindra mijëra ukrainasve në mesin e dimrit, kandidimin për president në Francë në vitin 2017 të Emmanuel Macron-it, si dhe hetimin britanik ndaj sulmit rus me agjent nervor në vitin 2018 në Salisbury, thonë prokurorët amerikanë dhe zyrtarët britanikë të zbulimit. Ata thonë se operativë rusë që punojnë për shërbimin ushtarak të zbulimit, GRU, u përpoqën të mbjellin dyshime mbi vende të tjera si autore të sulmeve.

Prokurorët amerikanë thonë se për sa i përket Lojërave Olimpike të Koresë së Jugut, hakerët rusë studiuan taktikat dhe teknikat e homologëve të tyre në Korenë e Veriut, në mënyrë që t’i kopjonin dhe ta kalonin hijen e dyshimit drejt Pheninanit. Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, hodhi poshtë javën e kaluar akuzat për operacione të hakerëve rusë, duke thënë gjatë një seance informimi se akuzat ishin produkt i dikujt me “imagjinatë të pasur”. “Është një lloj kokteili aromash diabolike”, u tha gazetarëve zonja Zakharova.

Thomas Rid, akademik amerikan dhe autor i librit të botuar rishtazi “Masat aktive” (“Active Measures”) thotë se niveli i detajeve të pasqyruara në akuza ndoshta reflekton nivelin në të cilin janë infiltruar operacionet e GRU-së. “Bashkësia e zbulimit ‘Pesë Sytë’ (‘Five Eyes’) duhet të ketë shikueshmëri tronditëse mbi operacionet e zbulimit ushtarak rus, nëse informacionet e bëra të ditura sot konsiderohen jo-thelbësore”, shkruajti ai në Twitter pasi ishin publikuar akuzat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA