Qeveria do t’i drejtohet tregut të brendshëm për të marrë borxh gjatë vitit të ardhshëm për të financuar investimet publike dhe për të shlyer interesat e borxhit të vjetër, për shkak të situatës së vështirë që ka krijuar pandemia në financat publike.
Në prezantimin e projektbuxhetit 2021 në Komisionin e Ekonomisë, kryefinancierja Anila Denaj tha se ekzekutivi ka zgjedhur këtë instrument për menaxhimin e situatës për shkak të interesave të favorshme që ofron tregu i brendshëm.
“Lidhur me huamarrjen e re për të financuar deficitin buxhetor theksoj se do të jetë në nivelin e 63.5 miliardë lekë duhet do të konsistojë në huamarrjen e tregut të brendshëm 49.9 mld lekë dhe huamarrjen e jashtme në 13.6 mld lekë. Pavarësisht nivelit të lartë të huamarrjes në tregun e brendshëm, mund të themi se ai është likuid dhe normat e interesit nuk kanë pësuar rritje kjo është një strategji e mirë për të menaxhuar këtë situatë.”
Ndërkaq, deputeti i partisë Socialiste Anastas Angjeli tha se pavarësisht situatës së vështirë prej pandemisë, ulja e borxhit publik është një ndër prioritetet e qeverisë në buxhetin e vitit 2021,i cilësuar sipas tij buxheti i rimëkëmbjes ekonomike.
Anastas Angjeli, deputet PS: “Do na duhet të krjijojmë hapësirën e nevojshme fiskale, të ulim borxhin nën 80% që të rikthehemi në periudhën që ne kishim arritur. Do ta konsiderojmë si një buxhet antikrizë, buxhet të rimëkëmbjes që do të mbështetet nga investimet dhe rindërtimi.”
Sipas parashikimeve të ekzekutivit, borxhi publik pritet të ulet me rreth 2.5% në 2021, duke zbritur në 78.6% nga rreth 80.9% i pritshëm për këtë vit.
Huamarrja e qeverisë për vitin 2021
Në tregun e brendshëm 49.6 mld lekë
Në tregun e huaj 13.6 mld lekë
Totali 63.5 mld lekë
Burimi: MFE
Top Channel