Dy botë të ndryshme… Trump dhe Kallstadt, fshati i tij i origjinës!

23/10/2020 14:53

Kallstadt është një qytezë e vogël e mbushur me vreshta në Gjermaninë jugperëndimore, ku gjyshërit nga babai të Donald Trump-it u rritën në disa shtëpi të thjeshta që ende janë në këmbë.

Ndërsa bota përgatitet për kulmin e një palë zgjedhjeve të tjera në SHBA, më 3 nëntor, banorët e Kallstadt-it, janë bërë pak më të ndërgjegjshëm për emrin Trump në komunitetin e tyre miqësor.

Kryebashkiaku i qytezës, kishte thënë para zgjedhjes së Trump-it në 2016, se nëse ai do të bënte diçka të madhe për Amerikën, apo botën, do të vendoste një pllakë në nder të tij. Katër vite më pas, pllaka nuk ekziston.

“Donald Trump nuk ka ardhur kurrë këtu dhe në dijeninë time edhe gjyshja e tij nuk është kthyer në Kallstadt pas vitit 1905. Ndaj ka 115 vjet që kur familja Trump ka qenë në Kallstadt. Askush që jeton këtu, nuk e njeh”, shprehet kryebashkiaku i Kallstadt-it, Thomas Jaworek.

Dhe në fakt, asnjë Trump nuk ka mbetur në Kallstadt-in me një popullatë prej 1200 banorësh. Por një e afërme në qytezën fqinje, Freinsheim duket se po e përdor pak emrin e familjes për reklamë. Ursula Trump, 73 vjeçe ka një furrë pjekjeje. Ajo thotë se kur Trump u zgjodh president, bënte pasta me flamur amerikan dhe foto të vogla të Trump-it.

“Njerëzit vinin ngado vetëm për kekët me imazhin e Trump-it. Ishte çmenduri. Edhe rusë vinin”, shprehet Ursula Trump.

Por kjo ndodhi deri sa disa banorë lokalë organizuan një nismë për të bojkotuar dyqanin e saj. Me sa duket atyre nuk u pëlqente edhe aq shumë presidenti amerikan. Joerg Leineweber menaxhon një hotel ngjitur me shtëpinë e gjyshit të Trump-it.

“Shpesh shohim grupe që qëndrojnë para shtëpisë, që bëjnë selfie. Interesi ka rënë pak këto kohët e fundit. Ishte më i fortë tre vite më parë”.

Trump nuk e ka vizituar kurrë Kallstadt-in dhe ka ndaluar vetëm dy herë në Gjermani si president. Kur u pyet vitin e shkuar për një vizitë të mundshme shtetërore, presidenti premtoi se do të pranonte ftesën e Merkelit duke iu referuar rrënjëve të familjes së tij.

“Unë kam gjak gjerman në vena. Do të jem atje”, tha ai.

Por, kjo nuk ka ndodhur ende…

FOTO GALERI
1/4
Në foto: Ursula Trump

Top Channel