Politikanë në Itali kanë akuzuar së fundmi Francën se banorët e alpinistët e saj kanë shkelur kufijtë e përcaktuar në masivin gjigand të Evropës, Mont Blanc.
Giorgia Meloni, kryetare e partisë konservatore opozitare Fratelli d’Italia, akuzon komunitetet franceze për tejkalim të sektoreve të tyre pranë majës së dytë më të lartë të Evropës, pas malit Elbrus në Kaukaz.
Masivi gjigand i Mont Blanc shtrihet në tre shtete, përgjatë kufirit Francë-Itali, deri në Zvicër.
Mali ngrihet deri në 4,800 metra mbi nivelin e detit dhe për “ndarjen” e tij ka pasur debate prej më shumë se 100 vjetësh mes Francës e Italisë.
Panorama e tij e ndryshueshme malore kanë qenë së fundmi objekt i ndryshimeve klimatike, të cilat kanë bërë të vështirë llogaritjen linjave të vendndodhjes.
Tashmë zonja Meloni ka rindezur sherrin e vjetër me Francën me një postim të ndezur në rrjetet sociale: “Më shumë se një vit më parë partia jonë Fratelli d’Italia denoncoi tejkalimet e papranueshme franceze në Monte Bianco, madje dhe me indiferencën totale të qeverisë italiane. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve tanë”.
Franca pretendon si të sajat tre majat kryesore të masivit, Dôme du Goûter, Punta Helbronner dhe Mont Blanc.
Italia ka hartuar kufijtë e saj sipas konventës së NATO për hartat që daton prej vitit 1860.
Ky parim e cakton kufirin mes dy vendeve 300 metra mbi Refugio Torino në mes të akullnajës, duke lene Mont Blanc-un francez.
Mont Blanc është kthyer në një pikë të frekuentuar turistike me të ardhura të rëndësishme si për Francën dhe Italinë.
Vizitorët e huaj zakonisht qëndrojnë në tre qytezat që rrethojnë majat, duke përfshirë Courmayeur në Itali, dhe Saint-Gervais-les-Bains e Chamonix që i përkasin Francës.
Ndarje zyrtare të kufirit atje nuk ka.
Por Laura dhe Giorgio Aliprandi, dy kartografë të njohur italianë, insistojnë se Mont Blanc duhet të jetë i përbashkët si për Francën dhe Italinë.
Ata thonë se janë dakord me ekspertët francezë Sylvain Jouty e Hubert Oudier që kanë thënë në 1999 se kufiri, “logjikisht duhet të jetë maja më e lartë”.
Në një artikull të Klubit Alpin Italian në 2015, Laura e Giorgio Aliprandi shkruanin: “Bazuar në këto konsiderata ne arrijmë në konkluzionin se Mont Blanc duhet të jetë i përbashkët italo-francez. Ky qëndrim meriton mbështetje, siç i është dhënë nga mendjet më të studiuara”.
Top Channel