Franca, shteti i dytë në Evropë që rregjistron me shumë se 1 milionë të infektuar me Covid-19

22/10/2020 11:43

Franca është bërë vendi i dytë në evropën perëndimore që regjistron më shumë se 1 milionë infektime me koronavirus sipas universitetit Johns Hopkins.

Totali i rasteve në Francë është aktualisht në 1 milionë e 357 ndërkohë që vendi ka regjistruar 34075 viktima që nga fillimi i pandemisë. Një ditë më parë ishte Spanja ajo që kapërceu pragun e 1 milionë rasteve, duke u bërë vendi i parë evropian që e kalon këtë kufi. Të mërkurën, Spanja raportoi 16973 raste të reja dhe 156 viktima. Që nga rastet e para në vend, më 31 janar, Spanja ka regjistruar një total prej 1 milionë e 5295 infektime. Tani, janë shtatë vendet e botës që e kanë kaluar shifrën e një milionë rasteve; SHBA, India, Brazili, Rusia, Argjentina, Spanja dhe Franca.

Evropa ka parë një rritje të infektimeve të reja gjatë muajve të fundit duke detyruar qeveritë të miratojnë rregulla të reja strikte në përpjekje për të kontrolluar shpërthimet dhe për të garantuar që spitalet nuk do të mbipopullohen.

Në Gjermani, numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit u rrit 24 orët e shkuara me më shumë se 10 mijë. Instituti Robert Koch, raportoi 11287 raste të reja, më e larta kjo që nga fillimi i pandemisë. Ndërkohë që 24 orët e shkuara u regjistruan edhe 30 viktima të tjera të koronavirusit duke e cuar totalin në 9905.

Italia në anën tjetër regjistroi 15199 infektime të reja, duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe nga e premtja në mesnatë edhe rajoni i Lazios, përfshirë kryeqytetin Romë, do të vihet nën ndalim qarkullimi nga mesnata deri në 5 të mëngjesit. Hija e izolimit tashmë po rëndon sërish mbi qytetet si Milano, Romë dhe Napoli. Autoritetet greke ndërkohë kanë njoftuar për një izolim rajonal në rajonin verior të kastorias ndërkohë që raportoi një ditë më parë 865 raste të reja koronavirusi, po ashtu rekord për vendin.

Top Channel