Kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdottir është ndërprerë gjatë një konference për shtyp nga një tërmet me magnitudë 5.6 që goditi vendin.
Zyra meteorologjike e Islandës tha se tërmeti u shënua në orën 13.43 minuta sipas orës lokale, 35 km në jug të Rikjavikut. Nuk kishte raporte për të lënduar apo dëme, por dridhjet ndërprenë shkurtimisht një sesion parlamentar në vend.
“Ky ishte tërmeti më i fortë që kam ndjerë ndonjëherë”, shkroi në Twitter ministri i Financave bashkë me një foto të një pllake të rënë. Deputetët u panë të ngrinin për disa sekonda gjatë transmetimit live në televizionin e vendit dhe seanca u ndërpre për 15 minuta. Ndërkohë, kryeministrja Jakobsdottir po fliste gjatë një eventi që po zhvillohej live në Zoom, të organizuar nga Washington Post, kur ajo bëri një pauzë në mes të fjalisë, në kohën kur tërmeti u ndje.
“O Zot, po bie tërmet”, tha ajo duke hedhur sytë përreth dhomës, para se të shtonte…”Kjo është Islanda, kërkoj ndjesë”.
Në shkurt, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern po ashtu u ndërpre nga një tërmet gjatë një interviste live në televizion. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët në Islandën perëndimore se akoma më shumë tërmete mund të pasojnë, por shkecvëtarët nuk kanë vënë re ndonjë aktivitet të shtuar vullkanik në rajon. Islanda, është një vend ishullor vullkanik, një nga zonat sizmike më aktive në botë edhe pse pjesa më e madhe e tërmeteve janë të vogla dhe nuk shkaktojnë shumë dëme. Alþingi – parlamenti kombëtar i Islandës është themeluar në 930 dhe është më i vjetri që mbijeton në botë.
Top Channel