Sezonin e kaluar rezultoi një zhgënjim te Juventusi, por në ndeshjen e parë të këtij viti ndaj Sampdorias, uellsiani Aron Ramsey ishte nga më të mirët në fushë dhe dukej tërësisht i rilindur me Andrea Pirlon në pankinë.
Në një deklaratë për mediat italiane, mesfushori pranon se tani ndihet shumë mirë dhe ndonëse pa përmendur emra, thumbon edhe ish trajnerin e Juventusit, Maurizio Sarri.
“Kemi trajner të ri, staf të ri dhe ide të reja, që ne futbollistët po i përthithim shumë shpejt. Stërvitjet janë shumë të mundimshme, por duhet të pranojmë se tani po argëtohemi gjithnjë e më shumë gjatë seancave”, u shpreh uellsiani.
Ramsey pranoi se do të jetë e vështirë për të luajtur vazhdimisht titullar, pasi Juventusi është një skuadër e mbushur me kampionë, ndërsa shtoi se këtë sezon rivaliteti për titullin kampion është shumë më i madh.
“Jam me fat që luaj në një skuadër me kampionë të shumtë, që e bëjnë më të lehtë punën në fushë. Natyrisht të gjithë duam të luajmë titullarë, por kjo është e pamundur, ndaj synimi është të luaj sa më shumë. Këtë sezon rivaliteti është shumë më i madh. Interi ka blerë futbollistë të rëndësishëm dhe është rritur shumë, por edhe Napoli e Milani do të jenë ekipe të vështira për t’u mposhtur këtë sezon”, tha Ramsey.
Top Channel