Brukseli e Uashingtoni: Betimi i Lukashenkos, ilegjitim

24/09/2020 11:34

“Betimi i Aleksandër Lukashenkos, si president i Bjellorusisë, nuk është legjitim”.

Ky është mendimi i Bashkimit Evropian, që përmes përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme, Josep Borrell, shprehet se Brukseli nuk i njeh rezultatet e manipuluara të zgjedhjeve. Lukashenkon e konsideron ilegjitim edhe Uashingtoni, që i konsideron zgjedhjet jo të lira. Në deklaratën e tij, Bashkimi Evropian përsërit se bjellorusët kanë të drejtë të përfaqësohen nga ata që do të mund ti zgjedhin lirisht përmes zgjedhjeve të lira. “Jemi të prekur nga kurajoja e popullit bjellorus, që vazhdon të manifestojë paqësisht për demokracinë dhe liritë e tij themelore pavarësisht represionit të egër të autoriteteve.

Jemi solidarë me ta dhe mbështesim plotësisht të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur presidentin që duan përmes zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta, nën mbikqyrjen e OSBE-ODHIR. Përsërisim pritshmërinë tonë që autoritetet bjelloruse të tërhiqen menjëherë nga represioni dhe dhuna mbi popullin bjellorus dhe të lirojnë menjëherë, e pa kushte të gjithë të arrestuarit, përfshirë ata politikë”, thuhet në deklaratën e BE.

Edhe një zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit deklaron se lukashenko nuk është presidenti legjitim i vendit duke nënvizuar se zgjedhjet e 9 gushtit nuk kanë qenë as të lira dhe as korrekte. SHBA nuk mund ta konsiderojnë Aleksander Lukashenkon president legjitim të zgjedhur të Bjellorusisë. Të mërkurën, në një ceremoni të sekrete, Lukashenko bëri betimin për mandatin e gjashtë presidencial. Kjo shkaktoi protesta masive dhe bllokim të rrugëve në Bjellorusi. Policia u përgjigj me uje me presion, rrahje dhe arrestime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA