Një nga sektorët që preku më së shumti pandemia e koronavirusit është padyshim ekonomia.
Shumë biznese u mbyllën gjatë periudhës së izolimit dhe si pasojë humbjet ishin të mëdha. Kjo temë është duke u trajtuar në emisionin “Open’, ku e ftuar është dhe ministrja e Ekonomisë Anila Denaj.
Gjatë fjalës së saj në studio ministrja shpjegoi gjerë e gjatë situatën që ndodhet ekonomia shqiptare dhe çfarë pritet të ndodhë gjatë tremujorit të tretë.
“Ekonomia matet me rritjen apo uljen e produktit të brendshëm bruto. Unë e thash pak më parë Eni që ky vit është një vit që parashikon një recesion. Sigurisht parashikimet për recesion që nga fillimi i vitit nga shumë institucione kanë qenë të ndryshme. ne besojmë në Ministrinë e Financave që ky recesion do të materializohet në nivelin në minus 4.5%. Ne do ta kalkulonim shumë mirë mbas tremujorit të tretë që nuk e kemi, ne në tremujorin e dytë unë dua të them që shifra do të jetë shumë e fortë, ne e parashikojmë që do të jetë edhe minus 14% tremujorin e dytë sepse ishte mbyllja ekonomike. Ajo që shikohet është gjithë shtrirja në të gjithë vitin dhe tremujori i tretë ka qenë ai që ka dhënë të ardhurat më të mëdha. Vitin e kaluar tremujori i tretë ka pasur një rritje ekonomike me 3.89 % dhe turizmi që ka dhënë peshën më të madhe në tremujorin e tretë këtë vit nuk e ka. Nuk e ka as në atë parashikim që kisha edhe unë vetë në fillim të sezonit turistik, kur menduam që do të ishte 10-20% e sektorit në punë”, tha ministrja.
Më tej ajo shtoi:
“Në fakt rezulton që të gjithë strukturat akomoduese kanë punuar në një nivel deri diku 50-55%. Ajo që themi turizmi patriotik ka dhënë një rezultat, konsumi i brendshëm ka dhënë një rezultat. Ka edhe një fakt shumë interesant që unë mund ta sjell në vëmendje. Performanca e të ardhurave në këtë tremujor ka një ulje të totalit me të ardhurave për tetëmujor në krahasim me parashikimin e fillimit të vitit në minus 48 miliardë lekë. por ndërkohë peshën më të madhe e ka TVSH e cila vjen nga importi, sepse sigurisht nuk ka funksionuar. Në raport me TVSH e brendshme rënia është vetëm minus 3.8%. Pra është një tregues për këdo që lexon shifrat publike dhe tregon që konsumi në tremujorin e tretë nuk ka qenë në ato parashikime të zymta dhe mendojmë që recesioni do të jetë në këto parametra minus 4.5-5%”.
Top Channel